PD: Edi Rama, lot krokodili për viktimat e Gërdecit
Partia Demokratike reagoi dje në njëvjetorin e tragjedisë së Gërdecit, duke ngushëlluar familjarët e viktimave nga aksidenti, por akuzoi ashpër edhe kreun e opozitës, Edi Rama. Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, dhe deputeti Aldo Bumçi deklaruan njëzëri se protesta e organizuar nga Edi Rama është një përdhosje e viktimave për qëllime të ulëta politike, një thyerje e kodit të vdekjes. Bogdani tha se Rama është krejt e kundërta nga ajo që kërkon dhe deklaron. Ai u shpreh se kreu i Bashkisë së Tiranës ka pasur marrëdhënie biznesi me Mihail Delijorgjin, por që s’ka pasur guxim të flasë për këtë. Sipas tij, Rama nuk mund të derdhë tjetër veçse lot krokodili për viktimat fatkeqe. “Njeriu që për një vit rresht nga tmerri dhe sherri nuk shqipëroi dhe një herë të vetme emrin e Delijorgjit me të cilin ka jo një, por disa sipërmarrje të përbashkëta, njeriu që ka tmerr nga videot dhe fotot e vakancave të zgjatura me Delijorgjin në Evropë dhe në botë dhe leje të shumta ndërtimi të ndara me të bashkë me Shalsin e tij, zëdhënësin e 15%, mund të derdhin vetëm lot krokodili për viktimat e Gërdecit”, - tha Bogdani. Akuzat u përsëritën nga Bumçi i cili shtoi se javën e fundit të paratragjedisë, Rama i ka dhënë 8 leje ndërtimi Delijorgjit. “Edi Rama nuk proteston dot sot për Gërdecin sepse ai është pikërisht i lidhur me Delijorgjin e me paratë e tij ka pushuar në hotelet më luksoze të Kretës, Parisit dhe gjetkë. Ai nuk proteston dot sot për Gërdecin, sepse me Delijorgjin ka sipërmarrje të përbashkëta dhe vetëm javën e fundit para aksidentit tragjik ndau me të tetë leje ndërtimi në zona të ndryshme të Tiranës”, - tha Bumçi. Nga ana e tij, Bogdani shtoi se alternativa e Ramës për Shqipërinë është vdekja. “Partia Demokratike e konsideron këtë si përpjekje të radhës në alternativën e Edi Ramës dhe të mediave që ai kontrollon me motot: “Rroftë vdekja, poshtë qeveria”, “Rroftë e keqja, poshtë Shqipëria”, me të cilat ai përpiqet në mënyrë donkishoteske të errësojë suksesin historik të qeverisë dhe të mbarë shqiptarëve, anëtarësimin e plotë në NATO në samitin e ardhshëm”, - deklaroi Bogdani. Deputeti Bumçi përsëriti vullnetin e mazhoranës për t’i shkuar deri në fund të vërtetës së tragjedisë së Gërdecit. “Grupi parlamentar i PD-së ka kërkuar dhe ka mbështetur hetimin e gjithanshëm dhe të shpejtë si dhe nxjerrjen e përgjegjësive ligjore për tragjedinë e Gërdecit”, - tha Bumçi, i cili shtoi se hetimi i tragjedisë është cenuar duke dashur të fshihen dokumentacione të rëndësishme. “Po ky grup ka denoncuar dhe denoncon përdorimin e dosjes së Gërdecit për qëllime cinike dhe çnjerëzore për të fshehur përgjegjësit e vërtetë të këtij aksidenti tragjik dhe për të dështuar hetimet duke formuluar akuza për anashkalimin e ushtrisë dhe korrupsionin, ndërkohë që ekzistonin 32 dokumente, me tre deri në shtatë firma që vërtetonin të kundërtën”, - deklaroi zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi. Zëdhënësi i selisë blu, Bogdani, shprehu edhe një herë dhimbjen për viktimat e rëna në Gërdec. “PD-ja u shpreh edhe një herë ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të viktimave, ndan me ta pikëllimin dhe dhimbjen dhe i siguron se qeveria shqiptare, sikundër deri më sot, do të punojë me ta bashkërisht për mbylljen e plagëve nga ky aksident tragjik”, - tha ai duke shtuar: “Vlerëson qëndrimin e qytetëruar të banorëve të Gërdecit, refuzimin që ata i bënë manipulimit me shpirtrat e njerëzve dhe bashkëqytetarëve të tyre nga Edi Rama”.
Qeveria: Zbardhja e Gërdecit, me rëndësi kapitale për drejtësinë
Qeveria shqiptare ngushëlloi dje familjarët e viktimave të vrara aksidentalisht një vit më parë në fshatin Gërdec. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e Kryeministrit, Juela Meçani, deklaroi se qeveria shpreh solidaritetin njerëzor me familjarët e viktimave. “Qeveria shqiptare në 1-vjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike, shpreh edhe një herë ngushëllimet më të thella, solidaritetin më njerëzor familjeve të viktimave, të plagosurve dhe të lënduarve të këtij aksidenti tragjik dhe ndan me ta dhimbjen e humbjes së pakompensueshme për ta”, - tha Meçani. Ajo tha se qeveria nuk pajtohet me akuzat e hedhura, sipas të cilave janë fshehur fajtorët. Meçani u shpreh se zbardhja e kësaj tragjedie është në interesin e të gjithë qytetarëve dhe i bëri thirrje drejtësisë të tregojë veten. “Ajo nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet me akuzat e formuluara vetëm e vetëm për të fshehur përgjegjësit e vërtetë të këtij aksidenti tragjik, nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet me zgjatjen e hetimit dhe pazaret politiko-mediatike me dosjen e kësaj tragjedie. Për qeverinë shqiptare zbardhja e të vërtetës mbi Gërdecin është me rëndësi kapitale për drejtësinë shqiptare”, - tha Meçani. Ajo shtoi se nga ana e qeverisë është bërë gjithçka për dorëzimin e gjithë dokumentacionit të kërkuar. “Qeveria ka bërë çdo përpjekje dhe ka dhënë çdo ndihmë me dokumentacion dhe mbështetje për hetim të shpejtë, të pavarur dhe të gjithanshëm dhe vendosjen para ligjit të autorëve të tragjedisë”, - shtoi zëdhënësja. Qeveria ka falënderuar edhe qytetarët për përballimin e situatës së krijuar si dhe për refuzimin e tyre për t’u bërë përdorur politikisht. “Qeveria vlerëson fisnikërinë e banorëve të Gërdecit që me përçmim refuzuan përpjekjet për të manipuluar me shpirtrat e njerëzve të tyre të dashur për qëllime politike dhe vlerësuan bashkëpunimin me qeverinë dhe qëndrimin e kësaj qeverie që në minutat e para pas aksidentit e deri në ditët e sotme”, - deklaroi Meçani. Qeveria ka garantuar se zona e prekur do të rikthehet si më parë.
Ballistët dhe legalistët: Opozita, politikë me fatkeqësi dhe vdekje
Partitë tradicionale të djathta kanë dënuar protestat e opozitës bërë për tragjedinë e Gërdecit, si strategji mbi vdekje dhe fatkeqësi. Në një komunikim për mediat, Sulejman Gjana, sekretar politik i Partisë Lëvizja e Legalitetit, tha se opozita po përdor për qëllime të ulëta politike një aksident tragjik. Mesazhi ishte i ngjashëm edhe nga Partia e Ballit Kombëtar Demokrat. Kreu i kësaj partie, Artur Roshi, i cilësoi si të papranueshme protestat e opozitës. Legalistët dhe ballistët i kanë kujtuar kreut të PS-së, Rama, se po drejton një parti e cika ka vrarë masivisht shqiptarët në kohën e diktaturës. “Thirrjet për demonstrim në rrugët e Tiranës me rastin e njëvjetorit të tragjedisë së Gërdecit dëshmojnë edhe një herë se Partia Socialiste, si trashëguese e Partisë së Punës dhe diktaturës së saj komuniste, nuk heziton të bazojë strategjinë e saj politike dhe elektorale mbi fatkeqësitë dhe vdekjen. Kjo ndodh për arsyen se opozita e majtë nuk është në gjendje të prodhojë dhe të paraqesë asnjë alternativë serioze për qeverisjen e vendit”, - tha Gjana.
Zyra e Mbrojtës së Konsumatorëve: Rama, 30 leje ndërtimi Delijorgjit
Drejtori i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Altin Goxhaj, akuzoi dje kreun e Bashkisë së Tiranës se ka marrëdhënie biznesi me pronarin e kompanisë së demontimit në Gërdec. Sipas tij, Rama ka dhënë rreth 30 leje ndërtimi për Mihail Delijorgjin. “Sot, mbas një viti, pas 365 ditëve, ndodhemi këtu përballe Bashkisë së Tiranës. Ndodhemi me 30 leje ndërtimi, të cilat i ka marrë Delijorgji, i cili po qeshte ditën që policia po e çonte në gjykatë, pasi kishte vrarë 26 njerëz. Arsyeja pse ndodhemi këtu më 15 mars 2009, një vit pas Gërdecit, është sepse ne kemi kohë që po protestojmë për betonizimin e Tiranës, i cili është një betonizim i cili ushqen mafien e ndërtimit, mafien e Delijorgjit. Janë 30 leje ndërtimi. Si ka mundësi që ky njeri, Mihail Delijorgji, vrasësi i 26 vetëve në Gërdec, jo vetëm që ka marrë leje ndërtimi, por ka pasur dhe lehtësi të madhe për të marrë dhe tri copë në një ditë të vetme”, - deklaroi Altin Goxhaj. Më tej, Goxhaj vijoi akuzat e tij kundrejt Ramës, duke thënë se e ka kthyer Tiranën në betonishte, ku lulëzojnë pallate në vend të lulishteve. “Tirana sot është një Gërdec betoni ku mungon gjelbërimi, pasi të vetmet pemë që mbillen, janë ato të betonit”, - tha ai.