E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sinjal me zhurmë për veshët e Berishës

Rama, thirrje qytetarëve për të mos iu përgjigjur baltës me baltë por për t'u bashkuar për ndryshimin e 28 qershorit

Mijëra mbështetës të opozitës vërshojnë në shesh. Socialistët përkujtojnë me protestë Gërdecin

E majta shqiptare tregoi forcën dje mbrëma në një miting ndër më masivët e organizuar që nga koha kur PS i dorëzoi pushtetin demokratëve më 2005.

Vlerësimet për numrin e atyre që u gjendën mbrëmë në sheshin "Skënderbej" vërtiten në të gjitha rastet dhe skenarët në "disa dhjetëra mijëra pjesëmarrës", por një gjë është e sigurt, kryeqendra e Tiranës dhe më pas edhe bulevardi "Dëshmorët e Kombit" përjetuan dje një përmbytje të vërtetë njerëzore që s'ishte parë, së paku që prej një viti kur ishte po opozita që thirri mitingun e heshtur të protestës për masakrën e Gërdecit. Edhe kësaj radhe ishte përsëri Gërdeci.

Ndonëse 364 ditë kalendarike më vonë, zemërimi i qytetarëve dukej, tërësisht i pandryshuar, pothuajse një i njohur i vjetër. Dyshimet, supozimet, hamendjet dhe pikëpyetjet i kishin munduar për ditë me radhë organizatorët.

Dilema më e madhe kishte të bënte me faktin se ndërkohë që socialistët po thërrisnin mitingun e tyre në sheshin "Skënderbej" të njëjtën gjë po bënte rreth 1000 metra më tej, në sheshin "Nënë Tereza" edhe LSI-ja.

Si do të përgjigjej populli i majtë? Për ditë me radhë në muret dhe rrugët e Tiranës ishin zhvilluar luftëra të ashpra për territor midis posterave dhe makinave lëvizëse propagandistike të të dyja palëve. Sloganet ngjanin aq të afërta. Protestë për Gërdecin.


Më në fund, teksa rrezet e fundit të diellit të një të diele paqësore nisën t'i lëshojnë territor pasdites, ora e së vërtetës po afronte. Sheshi "Skënderbej" filloi të ndjejë shenjat e një trazimi të pazakontë që rreth orës 16.

Disa grupe militantësh socialistë, ndoshta të mbërritur nga rrethe të largëta, zunë vend në shkallët e Pallatit të Kulturës të qetë, por të identifikueshëm. Binte në sy mungesa e sloganeve dhe parullave. Aty rreth orës 17.30 situata kishte ndryshuar. Sheshi ishte pothuajse plot dhe të tjerë grupe të ngjeshur qytetarësh po dyndeshin nga të katër drejtimet.


Në podiumin e natyrshëm të shkallëve të pallatit të Kulturës, mbërriti flamuri gjigant i transportuar që nga mesdita e djeshme nga Gërdeci i mbajtur mbi shpinën e dhjetëra socialistëve të rinj si dhe të disa mbështetësve nga sindikatat apo banorëve të Gërdecit.

Teksa një foni jo edhe aq në lartësinë e kërkuar nga rrethanat po shpërndante në eter nota nga "Air" e suitës numër 3 në D maxhor të Bahut, mbi podium mbërritën eksponentët e opozitës të kryesuar nga Edi Rama.

Turma shpërtheu në një ovacion spontan dhe pas pak nisën të flasin përfaqësues nga grupime të ndryshme shoqërore si përfaqësuesit e banorëve të Gërdecit, të minatorëve, të sindikalistëve, të emigrantëve, të grave, të G99-ës si dhe të partive të vogla opozitare. Kryefjala e të gjithëve ishte "ndryshim më 28 qershor".


Ndërsa akrepat po i afroheshin orës 17.30 të gjithë po prisnin të dëgjonin fjalën e kryesocialistit Rama.

Kjo do të ndodhte, por disa minuta më vonë, aq sa do t'i duhej turmës masive të zhvendosej nga sheshi "Skënderbej" deri përballë kryeministrisë ku ndërkohë me një shpejtësi të habitshme ishin zhdukur të gjitha shenjat e mitingut paraardhës të LSI-së dhe ishte ngritur një stendë e re tok me foninë që do të priste liderin socialist.

Kur flamuri dhe kreu i varganit mbërriti përpara kryeministrisë, u duk sikur një dorë e panjohur uli automatin e energjisë elektrike dhe fragmenti i bulevardit ku po zhvillohej mitingu u zhyt në errësirë por edhe në thirrjet e pakënaqësisë nga ana e protestuesve. Por pas pak gjithçka u normalizua.


Midis thirrjeve ekzaltuese, dhe improvizimit të një serie shpërthimesh eksplozivi si ai i Gërdecit që ndoshta më shumë shërbenin për t'i tërhequr vëmendjen godinës së afërt kryeministrore, kreu socialist Edi Rama doli në podium.

"Ne jemi sot këtu si një popull nën të njëjtin flamur e mbi të njëjtën tokë të atdheut tonë për të dëshmuar vullnetin tonë për bashkim e ndryshim në një ditë si kjo kur edhe njëherë tjetër politika e vjetër e së shkuarës, me shëmbëlltyrën e saj, në qeveri apo në opozitën e opozitës, na treguan verbërinë e tyre përpara vendit, shurdhërinë e tyre përpara të vërtetave të njerëzve, cinizmin para aspiratës sonë të përbashkët për një Shqipëri si gjithë Europa", tha Rama.


Përkatësia europiane e shqiptarëve do të përsëritej më pas disa herë të tjera në fjalimin e tij.

"Ne sot jemi këtu për të mos iu përgjigjur baltës me baltë e mllefit me mllef por për t'u hapur krahët e dashurisë e mirëkuptimit të gjithë atyre që njësoj si ne, duan një Shqipëri si gjithë Europa", vazhdoi kryesocialisti.

Me një gjuhë që të kujtonte atë të fjalimit surprizues të Barack Obamës përpara konventës demokrate më 2004, Rama nuk harroi të lëshojë edhe thirrjen e tij për bashkim të qytetarëve si dhe ftesën për të marrë pjesë në politikë. Më pas do të mbërrinte edhe citimi i vetë Obamës teksa Rama u kujtoi pjesëmarrësve një shprehje që presidenti amerikan e ka fort për zemër:

"një popull që do vendin e vet, mund ta ndryshojë atë". Mitingu u mbyll me këto nota ngacmuese të dy ndjenjave nga më të preferuarat për shqiptarët, atyre për patriotizmin dhe për transformimin sipërmarrës.

Pas pak turma sikur s'kishte ekzistuar dhe bulevardi iu rikthye trafikut kaotik dhe policëve me bilbila që deri në atë moment thjesht kishin vëzhguar nga larg gjithçka.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›