E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majlinda e argjendtë

Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi ka fituar medaljen e argjendtë në Kupën botërore të kategorisë A, që u mbajt të shtunën e të dielën në Sofje të Bullgarisë, ku kanë marrë pjesë garues nga 37 shtete të botës.

Këtë medalje Kelmendi e fitoi pasi arriti deri në finale, ku u mposht nga xhudistja ruse, Natalia Kuzjutina, pas një lufte shumë interesante. Majlinda Kelmendi arriti në finale pas tri fitoreve të njëpasnjëshme.

Fillimisht, Kelmendi në xhiron e parë të kategorisë 52 kg nuk pati kundërshtare, por, në xhiron e dytë kosovarja e ka mposhtur xhudisten ruse, Alparova, e cila fitore Kelmendin e plasoi në çerekfinale.

Në çerekfinale, Kelmendi u takua me japonezen Asaumi, të cilën kosovarja e mposhti vetëm pas dy minutave. Më pas, Kelmendi në gjysmëfinale e mposhti rusen tjetër, Grebennikova. Kështu, Majlinda arriti deri në finale, por që u mposht nga superyllja botërore, Natalia Kuzjutina.

Sido që të jetë, ky është një sukses tjetër i madh që e arriti Kelmendi, sepse në vitin e shkuar, kosovarja pati zënë vendin e tretë në Kupën botërore në kategorinë A, kurse tani e zuri vendin e dytë.

Medalja e argjendtë të cilën e fitoi Kelmendi në Bullgari, i ka sjellë asaj 60 pikë olimpike dhe në këtë mënyrë, Kelmendi sigurt po shkon drejt plasmanit në olimpiadë.

Në Sofje ka marrë pjesë edhe xhudistja tjetër kosovare, Nora Gjakova, e cila është eliminuar në minutën e fundit nga garuesja gjermane, Muller. Nora Gjakova ka pësuar këtë humbje si pasojë e mungesës së përqendrimit të duhur, dukuri kjo e cila shpeshherë paraqitet te Gjakova.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›