E Diel, 1 Nëntor 2026

Majtistët përjashtohen nga Bundestagu

Deputetët e Partisë së Majtë, të cilët u shfaqën në Dhomën e Ulët të parlamentit me pllakate, në kuadër të protestave kundër luftës, u dëbuan nga salla para fillimit të votimit për atë nëse numri i ushtarëve gjermanë në Afganistan do të rritet.

Deputetët majtistë po mbanin në duar pllakate me emra të civilëve të vrarë në Afganistan gjatë sulmit ajror të muajit shtator, i cili ishte kryer me urdhër të një gjenerali gjerman.

Qeveria e Afganistanit asokohe njoftoi se si pasojë e sulmit ajror të aeroplanëve luftarak amerikan F-15 ishin vrarë të paktën 69 luftëtarë të talebanit dhe 30 civilë afganë.

Bundestagu gjerman ka 622 deputetë. Të cilët janë të grupuar përreth gjashtë klubeve. ‘Partia e Majtë’ është njëra prej partive opozitare në Bundestag dhe ajo numëron 76 deputetë.

Kryetari i parlamentit gjerman, Norbert Lambert, ua tërhoqi fillimisht vërejtjen deputetëve majtistë që t’i palosnin pllakatet e tyre, mirëpo meqenëse ata nuk e pranuan këtë gjë të tillë, pasoi urdhri për përjashtimin e tyre nga salla.

"Gjermania po merr pjesë në luftën kundër banorëve të Afganistanit”, theksoi zëvendësja e liderit të ‘Partisë së Majtë’, Kristine Bulotz, në fjalimin e vet pak para fillimit të protestës së partisë së saj kundër luftës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›