E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majtizmi ynë si shpërfillës i AP-së të KE-së

Pasoja të mendësisë diktatorialePrapambetja e vendit tonë, gjatë diktaturës që lamë pas, por edhe pas saj, e ka burimin në një fakt të dhimbshëm: Te ne mungoi ajo framëmarrje që e ka emrin destalinizim. Vendet lindore europiane, e pranuan menjëherë këtë veprimtari, fill pas Kongrsit XX të PK(b) në BRSS. Dhe ato vende fatlume patën një zhvillim të dukshëm. E. Hoxha nuk e pranoi këtë dukuri historike, jo për parime. Stalinizmi i duhej për mbijetesë: një akt antikombëtar, për interesa vetjake. Sepse e njihte antishqiptarizmin e Stalinit, që e trajtoi vendin tonë si një plaçkë tregu. Nuk do të zgjatemi në atë cinizmin e tij të “gëlltitjes”. Tani vetëm Nexhmija bën sikur nuk është në dijeni, ndonëse Ramiz Alia ka shkruar në kujtimet e tij se kishte lexuar Milovan Gjilasin dhe Eduard Kardeljin që vërtetonin qëndrimin stalinist ndaj vendit tonë. Jo më kot hierarkët tanë të komunizmit tonë dhe propagandistët e Enverit nuk e zinin më me gojë emrin e Stalinit “të madh”, si para 1956-s. Por statujat ia ruajtën, ama, gjersa i rrëmbeu uragani antikomunist i 1990-s. Më pas u rrëzuan edhe statujat e diktatorit tonë; por mbeti e gjallë nostalgjia komuniste, e rrënjosur në mënyrë tiranike edhe pas liberalizmit që bëri Krushovi, për të dalë nga një gjendje kolapsi, e fshehur me gjethe fiku. Ai ka folur troç për disa të vërteta, të cilave u kishte ardhur koha të dilnin në dritë të diellit: - “Komunizmi falimentoi në misionin e tij historik: nuk kemi sapun në spitale që të lajnë duart mjekët; nuk kemi bukë në vatër, nuk kemi një buzëqeshje miqësore në popull”. Do të japim edhe një citat tjetër të Krushovit, që e rrëzoi në mënyrë therëse atë lumturinë false të mirëqenies ekonomike sovjetike: “Punëtori amerikan ka konfort më të mirë se unë, që jam kryetar shteti!”. Ky kryetar shteti kishte vajtur në SHBA dhe e kishte parë me sytë e tij gjendjen ekonomike të atjeshme, për të cilën fliste. A mund t’i besojmë, kësisoj, stalinistët tanë (për bollëkun tonë të triskave ushqimore!) edhe pas rënies së statujave të tiranit sovjetik? Propaganda nostalgjike është e pranishme edhe sot në vendin tonë: në kujtimet false të Nexhmijes; në intervistat e enveristit R. Alia; në memorialistikën e shumë ish-propagandistëve të diktaturës, që vazhdojnë propagandën e tyre; në partitë komuniste që u legalizuan pas vitit të mbrapshtë 1997; në fotot e Enverit brenda mureve të ministrisë sa Jashtme, kur ishte titullar Paskali, foto të që ngritën në protestë ish-të përndjekurit politikë të diktaturës, për të cilët nostalgjikët nuk donin t’ia dinin fare, gjersa ndërhyri Doris Paku, që e cilësoi këtë veprim nostalgjik si të turpshëm; në ceremonitë përkujtimore të diktatorit në çdo 16 shtator në Pezë, me nismën e Edvin Ramës, që është shpërfillës i Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit Europian, për dënimin e krimeve të diktaturave. Kësaj teme do t’i kthehmi në pjesën e dytë të këtij shkrimi.  Ndonëse i arratisur nga vendi ynë për të mos rënë nën kthetrat e komunizmit shqiptar, Isuf Luzaj i ka përmendur qysh në vitin 1954 këto citime të kreut liberal sovjetik në Argjentinën e largët, - ku jepte mësime në Universitet, - në vëllimin “Lumenjtë zbresin të kuq” (“Los rius bajan rojos”). Këtë libër analistët e kanë cilësuar, në mënyrë të eksagjeruar, (siç shprehet me modesti autori), - si “Libër profetik”. Më 3.02.2010 është botuar në një gazetë një shkrim i gjatë i Luzajt, me titullin “ç’është komunizmi”. Miku im, Xh.B., ka letërkëmbimin e plotë me autorin, si edhe disponon të gjitha veprat letrare dhe shkencore të tij, një pjesë të të cilave m’i ka dhuruar. Dhe gjej rastin ta falënderoj sërish. Nuk ia përmend emrin e plotë se nuk arrita të komunikoj me të, që t’i merrja lejen, që të mos e përmendja vetëm me iniciale. Tani le të shohim ç’është komunizmi dhe krahasimin e tij me kapitalizmin liberal, në kënvvështrimin e Luzajt:  ”Komunizmi është një filozofi kundër ligjeve të natyrës, e dënuar të falimentojë; sepse është false në premisat logjike, e gabuar dhe pa themel në arkitekturën e ideve dhe fiksion imagjinate të sëmurë. është e dënuar si një utopi nga të gjithë heronjtë e mendimit të shekujve XIX dhe XX. është vetëm një spekulim idesh sofistike, të prejardhura nga baza false, subjektive dhe nga statistika të pasakta. U përhap, veçanërisht, në popuj të prapambetur. është anakronik për qytetërimin perëndimor dhe teknologjinë moderne”.Për kapitalizmin:  “I dimë të gjitha të metat e Kapitalizmit. Porse këto të meta janë aq të vogla dhe aq të kollajshme për t’u korrigjuar, saqë mund t’i pranojmë, përkohësisht, derisa me një proces evolutiv të arrijmë SHBA, në Kanada dhe në Europën Perëndimore. Po të zemërohemi për të metat e kapitalizmit dhe të hidhemi në ekstremin e kaosit komunist, vemi kundër ligjeve të natyrës; sepse ata kapitalistë dhe ky sistem, e bënë Amerikën në 100 vjet shtetin më të fortë në botë, popullin më të lumtur në botë, teknologjinë më të lartë në botë, vendin e Perëndisë = God’s Country. Të refuzosh kapitalizmin e demokracive për të metat e tij, është njëlloj sikur një vashëz refuzon të martohet me një djalë me cilësi mendore, shpirtërore, morale, sepse djali ka flokët e kuq, ose sytë të verdhë, ose hundën e madhe!”. Thënia e Marksit se me përparimin e teknologjisë do të shtohet varfëria, u përgënjeshtrua nga stadi më i lartë perëndimor kur masat proletare kanë 20-30-40 % kursime bankare. Me tokën e vogël në disponim vendet në demokraci rronin 200 % më mirë sesa kur kishin kolonitë në diktaturë, para L.II Botërore. “Me zhvillimin e teknologjisë moderne në vendet e lira, punëtorët që kanë tri koqe në karroqe, transformohen në aksionistë të industrisë, tregtisë, duke kursyer dhe blerë aksione në bursat e vlerave tregtare (...) . Në Itali dhjetë milionë automobila në javë hynin nga veriu e verilindja; vetë italianët dilnin nga veriu me 6 deri 8 milionë automobila në javë dhe niseshin nga veriu i Italisë për në jug 8 deri 10 milionë automobila në javë. Shumica e këtyre janë “proletarë”, sipas termit marksist”.  Krushovi kishte thënë: “Kemi nevojë të mësojmë nja dhjetë vjet nga amerikanët për të arritur të prodhojmë ushqimin e nevojshëm në agrokulturë, industri, konfort dhe u impresionua kur pa një fermë, në të cilën njëqind mijë pula lëshuan vezët kur dëgjuan sirenën-urdhër”.*   *   *Të gjitha ato që u shprehën më lart, mendoj se do të jenë argumente për një kundërvënie të re EdRamës. Në proceset e para ngulçoi së ulërituri kundër komunizmit e diktatorit Enver Hoxha, me fjalë nga më diskreditueset dhe me shprehje nga më ekstravagantet. Mëtonte të ishte njëri ndër korifejtë e demokracisë antikomuniste. Askush nuk i besoi. Josif Pashko sa nuk ia përplasi në fytyrë mosbesimin e tij. E quajti arrivist, por hë për hë nuk dimë ndonjë gjë më tepër. Por atë shpërthim të përçartur gjer në nevrastení, e morën qetësisht edhe fanatikët më ekstremistë e të molepsur në mëkate të kohës së diktaturës. Kur veteranë naivë dhe historianë “kal karroce”  ua përplasnin në fytyrë vajzave të tyre të mitura antologjinë që lexonin, në të cilën Edvini shkruante tregime pornografike me titullin “Hiqi brekët Ina” (vajzë e tetëvjeçares) ; apo kur një bollëku  nacionalçlirimtarësh  u binte në dorë libri i Edit “Refleksione”, libër në të cilin shkruhej se komunistët e Enverit ishin përgjegjës që luftën për çlirim e kishin shndërruar në “luftë civile”, - për çudi pjesëtarë të shquar të kontingjenteve të krimit komunist, zgërdhiheshin me nënqeshje sarkastike: “S’ka nga shkon, do të vijë në vathë”. Dhe vërtet, pas një zemërate gjatë së cilës e shau rëndshëm Shqipërinë, ia mbathi për në Francë. Dhe prej andej u khye, si pa të keq, drejt e në funksionin e ministrit të qeverisë majtiste! Si karrierist patologjik, priste vetëm rastin që të zaptonte kreun e PS-së! Dhe ia arriti, madje. Paçka se me një rebus, në saje të të cilit synon të dalë nga i mundur dhe i humbur, si fitimtar! Por a mund të quhet fitues zgjedhor ai që, nga njëra anë pranon se zgjedhjet me të drejtë e kanë caktuar atë në opozitë (nuk është për ndërrim mandatesh). Dhe, nga ana tjetër, kërkon me këmbëngulje hapje kutish! Përse? Për të pritmen(!), për zgjedhje të ndershme në të ardhmen! Por a jemi të sigurt se edhe në të ardhmen nuk do të akuzohen komisionerët e tij për batakçillëk? A mund t’i thuhet dikujt: nuk kam fakte se je i korruptuar por, megjithatë, do të të akuzoj zyrtarisht si të korruptuar dhe do të përpiqem t’i gjej këto fakte? Me këtë mosbesim ndaj komisionerëve, cilët do të jenë ata që do të ofrohen për të numëruar votat, kur akuzohen padrejtësisht se s’e kanë bërë detyrën? është veprim i një personi të papërgjegjshëm ai i gjetjes së një kazusi për të mos qenë dakord as me një pjesë të konsiderueshme të elitës së partisë, as me faktorin ndërkombëtar, gjë që e bën arbitrar bojkotin. E, në saje të këtij arbitrariteti, fjala krizë s’ka vend. Por ajo ka një kuptim, sidoqoftë: Që të mos kesh ndershmërinë që të japësh dorëheqjen, si humbës! LMN-ja është koherente në kundërvënien që të bën, z. Rama! Meqë personalite të Asamblesë Parlamentare do të vijnë për të gjetur një modus për të mënjanuar “krizën”, ish-të përndjekurit politikë kanë të drejtën e paraqitjes së një mocioni: A përkojnë me Rezolutën e AP-së të KE-së ato orgjitë pro-diktaturës në Pezë, në të cilat përgjegjësia jote është e drejtpërdrejtë?...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›