E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makbule Çeço: Largimi,politika e Edi Ramës, si gjellë pa shije

Intervista/ Flet ish-nënkryetarja e Parlamentit dhe ish-deputete e PS-së. Pse krijuam PS 91

Makbule Çeço, mban shumë “ish” mbi supe, ish-deputete, ish-nënkryetare e Parlamentit, ish-zv.kryeministre, të gjitha në qeverisjen 8-vjeçare socialiste, por përsëri ia ka nisur nga e para. Pak ditë më parë u bë një ndër themelueset e PS 91 që për hir të vërtetës pak ndryshon nga PSSH-ja e krijuar në këtë vit. Përgjatë një interviste në “standard”, Çeço zbulon arsyet përse ajo, së bashku me shumë kolegë, u larguan nga PS-ja që drejtohet nga Edi Rama, si erdhi momenti i krijimit të një partie të re, çfarë synon PS 91, vlerësimin për ish-kryetarin e PS-së, Nano, keqardhjen që me një të rënë të lapsit, Edi Rama fshiu historinë e partisë, por edhe mospajtimin me politikën e Edi Ramës e cila është “një gjellë pa kripë, pa shije, që mund të hahet me garuzhde, me pirun, me lugë e me thikë njëherësh, e njëjtë me një politikë që nuk është as e majtë e as e djathtë, as andej e as këndej”.

Znj. Çeço, pak ditë më parë u bëtë themeluese e PS 91 së bashku me shumë kolegë me të cilët keni bashkëpunuar kur ishit në PS. Çfarë ju bindi që të riktheheshit në politikë, madje të jeni një prej drejtuesve kryesore të kësaj partie?

Varet se ç’kuptohet me rikthim në politikë, por nëse kam qenë “e tërhequr” për gati tre vjet nga politika aktive “zyrtare” e kushtëzuar nga zhvillimet në PS, kam vëzhguar me kujdes problemet e vazhdueshme që kanë shoqëruar partitë opozitare, madje jo rrallë jam prononcuar dhe në shtypin e shkruar, edhe në gazetën tuaj, dhe për më tepër kam qenë e angazhuar në Lëvizjen për Politikë Institucionale, e cila me pjekjen e të gjitha kushteve u formatua tashmë në subjektin politik PS 91. Sigurisht, si për çdo njeri, aq më tepër për një njeri që për shumë vjet ka qenë pjesë aktive e politikës, ballafaqimi me zhvillimet, me problemet, kontradiktat e me pengesat, por dhe me zgjidhjet e me parashikimet që bëhen për të ecur në udhën e progresit, të lindin natyrshëm shumë mendime, ide, dilema, pyetje të tilla nëse zgjidhjet që ke bërë janë zgjidhje në kohë apo janë të shpejtuara apo të vonuara, hapat dhe veprimtaritë që ke ndërmarrë i përgjigjen kërkesave, sfidave; nëse ato kanë ardhur nga një mendim i pjekur që ecën në rrjedhën e kohës apo jashtë saj; nëse i kërkon koha mendimet, veprimtaritë, hapat e ndërmarra apo janë të nxituara, të papjekura, të stisura, të përkohshme etj.

Motivet që ndikuan në themelimin e PS 91 janë të shumta. Ndër to në mënyrë skematike po parashtroj disa prej tyre: Çdo mundësi për të vepruar brenda PS-së zyrtare sa vinte e zvogëlohej derisa u eliminua plotësisht, mbasi lidershipi i PS-së, pas vitit 2005, në mënyrë tepër asfiksuese nuk lejoi as edhe një hapësirë sado të vogël për të mundësuar debatin konstruktiv dhe mendimin ndryshe në PS, mbi bazën e të cilave kjo parti eci në rrugën e transformimit, emancipimit, demokratizimit të saj të vazhdueshëm që nga viti ‘91 kur ajo lindi si forcë e re politike e majtë me kahje socialdemokrate, qeverisi vendin për 8 vjet, u pranua në Internacionalen Socialiste etj. Për më tepër, ky lidership hodhi poshtë alternativën me të cilën erdhi në krye të PS-së, madje, për hir të së vërtetës, duhet nënvizuar se z. Rama ka qenë nga ithtarët “fanatikë” për legalizimin e mendimit ndryshe brenda saj, ndërkohë me marrjen e drejtimit të saj, jo shumë larg në kohë, deklaroi me shumë nerv se do të bënte ndryshime radikale në PS dhe se kush nuk ishte dakord me të, të ikte nga partia. Kështu, vullneti dhe nevoja e madhe për të legalizuar, zgjeruar më tej zhvillimin dhe kultivimin e mendimit, idesë dhe debatit "tjetër"... si tipare karakteristike të PS-së u zëvendësuan me vullnetin e “Njëshit”, me asfiksimin e ballafaqimit të mendimeve, pikëpamjeve, koncepteve. Pra, z. Rama gradualisht i dha PS-së fizionominë e një partie centraliste, me frymë totalitariste të lidershipit, ku alternativat e ndryshme nuk ekzistojnë si mundësi, përjashtohen, ndërsa imponohet mendimi i “Njëshit” e njerëzve të tij, sipas motos “bëni si them unë, mos bëni si bëj unë” dhe zbatohet nëpërmjet një politike represive, autoritariste, përjashtuese.

Mbi bazën e kësaj filozofie në PS fryma e përjashtimit sot është tipar karakteristik kryesor i saj. Madje, në PS me ardhjen e z. Rama, filloi të krijohej fryma e kundërtisë së brezave, të jetësohej ndarja në “xhaketa të vjetra” dhe në “xhaketa të reja”, në politikë të vjetër dhe politikë të re, u prish balanca dhe nuk u respektua hapësira dhe ruajtja e rendit të konkurrimit, u përdorën standarde të dyfishta duke i vlerësuar anëtarët kush është pro kryetarit e kush e kundërshton, dhe e keqja më e madhe e kësaj filozofie po materializohet e konkretizohet te deformimi i modelit te të rinjtë e atij që duhet të ishte vërtet një politikan i ri, duke u kthyer sot në kopje dhe shëmbëlltyra të liderit, duke mos pasur një fytyrë dhe emër të tyre, duke mos krijuar dot një imazh aq shumë të dëshiruar të një politike të re në Shqipërinë e mijëvjeçarit të ri.

Politikat dhe drejtësia e tyre, efektiviteti, realizmi dhe mbështetja për këto politika, që ndjek një forcë politike, maten me rezultatet konkrete në betejat me kundërshtarët politikë, veçanërisht në ballafaqimet zgjedhore. Bilanci i tyre për PS-në që pas zgjedhjeve politike të 2005-ës, e daljes në opozitë, është humbja. PS-ja ka humbur çdo betejë përballë mazhorancës qeverisëse. Zgjedhjet në Shijak, në Pogradec, në Tiranë e së fundi në Kashar flasin për bilancin negativ.

Këto dhe shume arsye të tjera diktuan shkëputjen e një grupi jo të vogël kolegësh të mi nga PS-ja dhe krijimin e formacionit politik PS 91. Sikurse u tha në mbledhjen themeluese, janë mbledhur mbi 1000 firma dhe përditë vjen në rritje mbështetja nga shumë socialistë që nuk pajtohen me frymën, fizionominë e PS-së zyrtare e cila ka humbur çdo tipar të PS-së reale si në aspektin organizativ, programor, filozofik politik, njerëzor dhe të veprimit e aksionit politik opozitar.

Në kushtet kur kundërshtimi ndaj politikave të gabuara të Ramës në krye të PS-së u rrit dhe u artikulua nga shumë figura politike të PS-së, por edhe nga socialistët e thjeshtë në rrethe, në qëndrimin politik, siç ishte edhe Lëvizja për Politike Institucionale, si dhe me ezaurimin e të gjitha mundësive dhe mjeteve demokratike për të vepruar brenda PS-së, u bë e domosdoshme krijimi i PS 91, si lëvizje për të mundësuar përfaqësimin e mendimeve, qëndrimeve, interesave, kërkesave, aspiratave e të gjithë atyre socialistëve që nuk janë dakord me politikat e z. Rama, që e ndiejnë veten të huaj në partinë në të cilën militonin që me krijimin e saj në vitin ‘91, për të ndihmuar të majtën në fitoren e saj në zgjedhjet e vitit 2009, për të minimizuar abstenimin dhe rrjedhjen e votave të atyre që nuk votojnë as Edi Ramën, as LSI-në, nga e cila humb e gjithë e majta shqiptare.

Në prill të vitit 2007 në një intervistë për gazetën “Albania”, pyetjes së gazetarit se ku do rreshtohesha unë nëse do krijohej një parti e re, iu përgjigja pa hezitim se anëtarësia ime partiake nuk do të ndryshonte, rreshtimi do të jetë në PS, dhe si unë, të gjithë kolegët e mi themelues të PS 91 jemi socialistë në program, në statut, organizim, në filozofi e veprim politik, që jemi rritur e kemi ecur në gjithë rrugëtimin progresist, emancipues, demokratizues, evropianizues të PS-së që nga themelimi i saj.

Ajo që na karakterizon në këtë ndërmarrje politike është besimi në kauzën e drejtë, në bindjet e socialdemokracisë moderne evropiane, në progresin dhe prosperitetin, në integrimin e rrugëtimin evropian të shoqërisë shqiptare. Si përmbyllje, do të nënvizoja se qëllimi i partisë së sapokrijuar, PS 91, është forcimi i së majtës shqiptare.

E keni quajtur PS 91. A i përmbush ky përcaktim idetë në të cilat ju besoni?

Për të dhënë një përgjigje sa më koncize, por edhe me një domethënie të veçantë, nga e cila duhet nxjerrë mësim politika shqiptare, po ju referoj tek rreshti i parë i Deklaratës së Pavarësisë të SHBA-së që jo rastësisht fillon: "Kur në rrjedhën e ngjarjeve njerëzore..."

Pra, edhe dokumente të një rëndësie të tillë me përmasa botërore mbështeten në rrjedhën e ngjarjeve njerëzore, mbështeten tek historia, tek memoria historike, ndërsa praktika e përjashtimeve që po ndjek Edi Rama në të cilën përfshihet edhe Fatos Nano, është një praktikë e dëmshme, jo thjesht e vetëm për PS-në, por për gjithë procesin politik në përgjithësi. Fatkeqësisht,në vazhdën e historisë politike qindravjeçare të Shqipërisë që flet për fshirje të historisë e figurave historike, bazuar në teorinë e fillimit nga zeroja, apo e ashtuquajtura “terapi e shokut”, edhe z. Rama me një të rënë të lapsit e fshiu historinë e PS-së, si nga parimet, dokumentacioni, burimet njerëzore, filozofia politike e aksioni politik. Pavarësisht se flet deri në lodhje për politikë të re, ai është bërë zëdhënës e aplikues i gjithë kësaj praktike politike të vjetër në drejtimin e PS-së.

PS 91, sigurisht, që i përmbush idetë në të cilat ne besojmë, është një emër që na dallon nga PS-ja e sotme zyrtare, është një emër që përmbledh të gjitha ato cilësi që i kishte PS-ja, por i ka humbur gjatë 3 vjetëve të kryesimit të saj nga kryetari Edi Rama dhe grupi i tij.

Partia Socialiste që në krijimin e saj ka kaluar në disa etapa e procese ndryshimi, demokratizimi, zhvillimi të cilat kanë konturuar elementë të rëndësishëm të modernizimit të saj. Këto procese kanë qenë e janë të vazhdueshme, në të kundërtën partia nuk do të mundet t’i përgjigjet, paraprijë e përballojë sfidat e zhvillimit të shoqërisë.

Ky emërtim është sa simbolik aq dhe i lidhur me përmbajtjen e PS 91. Ajo vë në themel demokracinë, kolegjialitetin dhe solidaritetin që ka ekzistuar në këtë parti, para se të merrte drejtimin e saj kryetari Edi Rama. Të gjithë ata që ndihen të përjashtuar dhe të denigruar nga lidershipi i Partisë Socialiste, do të gjejnë përfaqësim politik te PS 91, dhe këta të gjithë nuk janë pak, me mijëra socialistë.

Përveç simboleve, pra flamurit, teserës, çfarë ka të përbashkët kjo parti me PS-në e krijuar në qershor të vitit 1991? A do të bazohet PS 91 në statutin e PSSH-së kur u krijua?

Shumë elementë e aspekte janë të përbashkëta, të tjera kanë evoluar në përputhje e përshtatje me kushtet, problemet, zhvillimet, veçoritë e sotme. P.sh. ju pyesni për statutin kur u krijua PSSH-ja, nuk mund të jetë i njëjti statut, mbasi në historinë shumëvjeçare të PS-së shumë procese transformuese, demokratizuese, evropianizuese janë realizuar dhe rrjedhimisht dhe statuti ka pësuar ndryshime në përshtatje me to apo që i kanë paraprirë këto transformime.

Znj. Çeço, PSSH-ja e krijuar në vitin 1991 kishte në krye Fatos Nanon, përse sot nuk është përkrah jush?

Besoj se këtë pyetje mund t’ia adresoni personalisht z. Fatos Nano.

Para se të hidhnit hapin e zyrtarizimit të Partisë Socialiste 91 i kërkuat z. Nano ju apo edhe kolegët tuaj që t’ju drejtonte?

Me sa di unë, nuk është realizuar ndonjë kontakt apo kërkesë e tillë.

z. Nano ka heshtur për zhvillimet e vitit të fundit. Ndiheni e zhgënjyer për këtë qëndrim? Në këndvështrimin tuaj, çfarë duhet të kishte bërë apo edhe të bëjë në vijim z. Nano?

Përsëri do të kërkoja mirëkuptimin tuaj për ta adresuar tek z. Nano këtë pyetje.

Por nuk mund të mos evidentoj faktin që z. Nano por dhe shumë figura të tjera të socialistëve si z. Mejdani apo z. Pëllumbi, pavarësisht qëndrimeve, qoftë dhe kundërshtuese ndaj PS 91, përbëjnë një kapital politik, që duhen respektuar, vlerësuar si dhe shfrytëzuar në funksion të zhvillimit e progresit.

A do ta shohim z. Nano në krye të kësaj partie?

Gjithçka që pyesni për z. Nano tregon sensibilitein e shtypit ndaj kësaj figure politikani të spikatur, që intrigon jo vetëm me veprimet dhe prononcimet e tij, por edhe me heshtjen.

Të flasim pak për anën organizative të partisë. Si do të funksionojë ajo në qendër dhe në bazë?

Funksionimi i PS 91 do të jetë fillimisht me strukturat drejtuese në bazë qarku dhe rrethi, statuti i parashikon të gjitha modalitetet e zgjedhjes, mënyrën e funksionimit, detyrat, përgjegjësitë, bashkërendimin etj., mbi bazën e parimeve të funksionimit të një partie moderne socialdemokrate evropiane, perëndimore. Në mbledhjen themeluese miratuam gjithë dokumentacionin staturor, programor e strukturor, e tashmë po punojmë me intensitet për materializimin e tyre në terren

Si ka reaguar baza ndaj nismës tuaj?

Reagimi është mbresëlënës, ndonëse testimi i reagimeve dhe mbështetjes nuk ka qenë i panjohur, sepse PS 91 u formatua pas një sërë takimesh pothuajse në tërë territorin e vendit në kohën e Lëvizjes për Politikë Institucionale dhe me takimet e mëvonshme e të kohëve të fundit derisa arritëm në mbledhjen themeluese. Sigurisht, reagimet, krahas mbështetjes, shoqërohen edhe me shtrim të problemeve të ndryshme të karakterit politik, organizativ etj., me kërkesa për shtim të kontakteve etj.

Çfarë reagimesh keni marrë gjatë këtyre ditëve, flas edhe nga ish-kolegët tuaj që sot janë pjesë e PS-së?

Ka reagime të ndryshme. Pjesa kryesore e reagimeve është thjesht një urim për sukses.

Znj. Çeço, keni një karrierë të gjatë në politikë dhe e njihni mirë atë. Si e cilësoni përcaktimin e z. Rama “përtej së majtës e së djathtës”?

ǒkuptim do të kishte pluralizmi politik si element bazor i një shoqërie demokratike nëse përcaktimi i Ramës do konceptohej në kuptimin e shtrirjen tejet të gjerë që ai i jep kësaj teze, çka çon në rrafshimin e identiteteve në emër të kërkimit të një “identiteti të ri”, të “politikës së re”. Kjo është si të servirësh në tryezë një gjellë pa kripë, pa shije, që mund të hahet me garuzhde, me pirun, me lugë e me thikë njëherësh, e njëjtë me një politikë që nuk është as e majtë e as e djathtë, as andej e as këndej. Shoqëruar me koncepte, teza e qëndrime radikale mohuese e negativiste për qeverisjen e politiken e 17 vjetëve, për politikën e tij të re, si dhe me shume teza të tjera të mbledhura e përvetësuara në mënyrë kaotike pa një bazament ideor filozofik politik, përcaktimi “përtej së majtës e së djathtës” më e dukshmja pasojë që passjell është konfuzioni që krijon tek kategori, shtresa, grupime të ndryshme sociale, e veçanërisht tek anëtarësia e partisë që ai drejton. Sigurisht, kjo e ka bazën tek prirja e tejskajshme që ka z. Rama për formën, imazhin, fasadën, duke mos e parë në lidhje korelative me përmbajtjen. Mund të thuhet se kemi të bëjmë me një hemarfrodizëm politik, ku rrafshohet gjithçka, çdo kufi midis të ndryshmeve, një politikë që në fund të fundit na rrëfen se nuk kanë rëndësi programet, se qytetarët kanë të njëjtat interesa të cilat vetëm z. Rama i di dhe i njeh dhe se qeverisja na qenka thjesht dhe vetëm çështje e zëvendësimit të një politikani të keq me një politikan të mirë. Kjo ide e supertheksuar, por e pazbërthyer për audiencën në të gjitha takimet “Dialog me Shqipërinë”, mund të shtjellohet shumë gjatë dhe mendoj se kërkon një trajtim specifik që del jashtë kuadrit të një interviste.

A keni frikë se nëse e majta rezulton të mos fitojë zgjedhjet, partia juaj të akuzohet nga PS-ja, ashtu siç u akuzua LSI-ja pas zgjedhjeve të 2005-s se mban përgjegjësi për humbjen e saj majtës?

Kjo frikë nuk ekziston, sepse sistemi zgjedhor proporcional rajonal është i ndryshëm nga ai i 2005-s.

A mendoni se përcaktimet e kreut socialist, politika e re dhe politikë e vjetër, e cila në rastin më të madh është përkthyer me njerëz të rinj dhe të vjetër nga baza dhe elektorati i thjeshtë, të ketë pasoja edhe për PS 91, meqë shumica e themeluesve vijnë nga jetë e gjatë politike?

Gjykoj dhe besoj se nuk do të ketë pasoja tek baza dhe elektorati i thjeshtë, të paktën për dy arsye: Tashmë njerëzit janë ndërgjegjësuar dhe e kanë më të qartë thelbin dhe domethënien demagogjike të këtyre përcaktimeve, por edhe figurat që themeluan PS 91 janë të njohur e të respektuar, ndërkohë që puna e strukturave dhe kontaktet me bazën dhe elektoratin e thjeshtë do të parashtrojë qëndrimet rreth këtyre përcaktimeve e tezave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›