E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ratifikimi për NATO-n, Topalli falënderon Hungarinë

Hungaria është vendi i parë që ratifikoi Protokollin e Anëtarësimit në NATO të Shqipërisë dhe për këtë, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, udhëtoi drejt Budapestit për të falënderuar homologen e saj, Szili. Topalli e ftuar nga kryeparlamentarja Katalin Szili, zhvilloi një vizitë zyrtare në Hungari ku falënderoi të gjitha forcat politike atje për votën unanime për Shqipërinë. Kryeparlamentarja Szili theksoi se ratifikimi i Protokollit të NATO-s nga Hungaria, ishte jo vetëm një shprehje e mbështetjes së reformave të dukshme të ndërmarra nga Shqipëria, por edhe e bindjes në perspektivën e saj integruese në BE dhe NATO. Kryetarja e Parlamentit hungarez vlerësoi hapat e bëra nga qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë, prirjen e veçantë për zbatimin e Marrëveshjes së Aderimit. “Ishte një mesazh shumë i mirë yni për Shqipërinë, NATO-n dhe për gjithë botën kur në 15 shtator ne ratifikuam këtë Protokoll. Për Hungarinë është shumë i rëndësishëm procesi i anëtarësimit në NATO dhe gjithashtu edhe procesi tjetër i integrimit në BE. Për Hungarinë, rajonin dhe Evropën është shumë i rëndësishëm stabiliteti i Ballkanit Perëndimor. Mesazhi ynë për këtë rajon është se për Evropën ky rajon është shumë i rëndësishëm”, - tha Katalin Szili. Nga ana e saj, Topalli theksoi se marrja e ftesës për NATO ishte një ngjarje historike për Shqipërinë, përgjigje e reformave të kryera dhe mbështetje për vijimin e tyre. “Hungaria ka qenë ndër të parët që kanë ratifikuar MSA-në dhe kjo flet për besimin që ky vend ka në reformat e Shqipërisë, në zhvillimin dhe transformimin e jashtëzakonshëm dhe të ardhmen e saj në NATO, duke besuar se vitin e ardhshëm do jetë anëtare me të drejta të plota të Aleancës së Lirisë dhe në të njëjtën kohë një përshpejtim të proceseve integruese edhe për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian”, - tha Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›