E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Presidenti Bush rekomandoi firmosjen për Shqipërinë



Kryeministri Sali Berisha shpreh mirënjohje ndaj Presidentit të SHBA-së, Xhorxh Bush, Senatit Amerikan dhe ambasadorëve të NATO-s për firmosjen e protokollit të anëtarësimit në NATO. Sipas Berishës, kjo është një ngjarje historike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kryeministri beson që pranvera e ardhshme e 2009-s do të jetë pranvera e anëtarësimit të plotë në NATO. Berisha përgjatë një konference për shtyp të organizuar dje në Shkodër në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, vuri në dukje se ky votim u bë me rekomandimin personal të Presidentit të Shteteve të Bashkuara Xhorxh W. Bush dhe vetëm dy ditë pasi Komisioni i Jashtëm i Senatit të Shteteve të Bashkuara votoi në unanimitet të plotë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. “Anëtarësimi në NATO është i një rëndësie të jashtëzakonshme dhe se Presidenti Bush, qeveria e tij, senati i Shteteve të Bashkuara, me mbështetjen e tyre të fuqishme, bënë që Protokolli i Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë të votohet dhe ratifikohet nga vendi i tyre, lider i NATO-s, me një shpejtësi rekord”, - tha z. Berisha. Në këtë rast, - vijoi ai, - në emër të qeverisë shqiptare, dua të shpreh mirënjohjen më të thellë Presidentit Xhorxh W. Bush, mikut më të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, qeverisë së tij, Departamentit të Shtetit, Pentagonit, Komisionit të Jashtëm të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, miqve të shquar të kombit shqiptar në këtë komision, kryetarit të tij, Josephf Biden dhe senatorit Richard Lugar. Po ashtu Berisha falënderoi të gjithë anëtarët e tjerë të Komisionit të Jashtëm të Senatit të SHBA-së, të gjithë senatin, senatorët e SHBA-së, ambasadorin dhe Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, ambasadorin dhe Ambasadën e SHBA-së në Bruksel, për mbështetjen e madhe, përmes të cilës po shndërrohet në realitet ëndrra euroatlantike e kombit dhe vendit tonë. Kryeministri evidentoi se nuk ka diskutim se është një inkurajim i madh për të gjitha vendet e tjera. “Shfrytëzoj rastin të shpreh falënderimin tim më të madh për qeverinë e Hungarisë, Parlamentin hungarez, qeverinë e Letonisë, parlamentin letonez, Komisionin e Jashtëm të Bundestagut dhe një sërë vendesh, të cilat kanë ndërmarrë këtë proces, në mënyrë që samiti i ardhshëm i Aleancës, pranvera e ardhshme, të jetë pranvera e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO”, - u shpreh z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›