Çamët kërkojnë ndërtimin e një obelisku për masakrën e Paramithisë
Komuniteti çam në Shqipëri i ka kërkuar shtetit shqiptar që t’i paraqesë palës greke një kërkesë për ndërtimin e një obelisku në përkujtim të masakrës së Paramithisë, por edhe për mjaft masakra të tjera të kryera mbi çamët. Shoqata “Çamëria” dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim, i kanë dërguar një letër Ministrisë së Jashtme dhe Kryeministrit Berisha ku i kërkojnë ngritjen e këtyre monumenteve në shtetin helen. “Ne kërkojmë që MPJ e Shqipërisë t’i paraqesë palës respektive të Republikës së Greqisë kërkesën tonë për ndërtim në Paramithi, Greqi të një obelisku në përkujtim të masakrës së Paramithisë, ndërtimin e një varreze përkujtimore pranë urës së lumit Kalama, në Greqi, aty ku prehen të rënët e pafajshëm, që mbetën të vrarë dhe nuk mundën të kalonin këtë urë, gjatë gjenocidit mbi popullatën çame”, - thuhet në letrën e dërguar autoriteteve shtetërore. Më tej, në letrën e tyre, komuniteti çam në Shqipëri shprehet se miqësia me shtetin helen mund të arrihet vetëm nëpërmjet faljes. “Ne duam të ndërtohet miqësi. Ne jemi të bindur se miqësitë ngrihen mbi faljen, para së gjithash, u kërkohet falje të rënëve, nderohen ata”, - shkruan komuniteti çam.