Topalli, bisedë në Kuvend me fëmijët e kryeqytetit
Përpara nisjes së seancës plenare në Kuvend, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, organizoi një takim me dhjetëra fëmijë të shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit. Topalli foli me fëmijët mbi rolin e Parlamentit në një shoqëri të lirë si dhe trajtoi me ta disa probleme të shoqërisë shqiptare. Kryetarja e Kuvendit u shpjegoi nxënësve rrugën e gjatë dhe të vështirë që ka kaluar parlamentarizmi shqiptar, qysh në vendosjen e sistemit pluralist, trajtoi problemet e përfaqësimit të grave dhe të rinjve në Kuvend, si dhe bëri një përmbledhje të karrierës së saj në politikë dhe veçanërisht në Kuvendin e Shqipërisë. Është bërë tashmë e zakonshme që seancat e të enjteve të nisin me fëmijët, të cilët duke gjetur gjithmonë hapur derën e Parlamentit për ta, kanë mundësinë që për disa momente ta ndiejnë veten të rritur, ta ndiejnë veten në vendin e atyre që drejtojnë vendin, duke u ulur në karriget e deputetëve.