E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makina e vjedhur e Territ rikthehet në Angli

Tiranë- Drejtësia shqiptare ka vendosur të kthejë në Britaninë e Madhe automjetin “Range Rover”, që zyrtarisht rezulton në pronësi të kapitenit të skuadrës së futbollit të Anglisë, Xhon Terri. Automjeti luksoz i sekuestruar në Shqipëri, në fund të vitit të shkuar, pritet të rikthehet në vendin e origjinës, por këtë radhë, për llogari të kompanisë së sigurimeve që ka rimbursuar kapitenin e Anglisë, Xhon Terri. Burime të rezervuara thanë se vetëm pak ditë më parë ka mbërritur në Shqipëri një letër-porosi nga autoritetet britanike, të cilat konfirmojnë se automjeti tip “Range Rover” me targa LT 55 EUO është në pronësi të futbollistit të njohur anglez. Duke qenë se ai është rimbursuar për vlerën e automjetit që është deklaruar i vjedhur, pronari i ardhshëm i makinës luksoze do të jetë kompania e sigurimeve që ka mbuluar vlerën e automjetit për llogari të qendërmbrojtësit të skuadrës së Çelsit. Bashkëngjitur letër-porosisë, autoritetet angleze kanë sjellë në Tiranë dokumentet e automjetit dhe dokumente të tjera mbi procedurat e ndjekura për dëmshpërblimin e futbollistit, çka e bën kompaninë e sigurimeve pronare të ligjshme të makinës. Kërkesa në fjalë ka marrë miratimin e autoriteteve shqiptare, të cilat kanë urdhëruar kthimin e “Range Rover-it” në Angli. Nisja e makinës së Territ drejt Britanisë së Madhe pritet të bëhet mëngjesin e sotëm, nga agjentët e antitrafiqeve në policinë e kryeqytetit, të cilët së bashku me oficerë të Interpolit do të bëjnë edhe dorëzimin e makinës pranë kompanisë së sigurimeve, që tashmë ka në pronësi “Range Rover”. Makina, që fillimisht u dyshua se ishte në pronësi të futbollistit anglez, u sekuestrua në Tiranë më 15 dhjetor të vitit të shkuar, teksa ishte parkuar në një nga rrugicat e zonës së ish-Bllokut. Pas sekuestrimit, për këtë automjet u interesua pronari i automjetit, i cili deklaroi në polici se këtë makinë e kishte blerë nga një emigrant nga Burreli, duke mos pasur asnjë dijeni se automjeti ishte i vjedhur. Madje, pronari i saj pretendoi se automjeti ishte blerë me dyfishin e çmimit, pasi i përkiste futbollistit të njohur anglez Xhon Terri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›