Ujërat e zeza, përsëri problem në tri pika të plazhit të Durrësit
DURRËS- Prefektura e Durrësit ka evidentuar arritjet në fushën e turizmit, ndërkohë që ka evidentuar edhe problemet apo pengesat që nuk garantojnë një sezon të suksesshëm turistik. Prefekti i qarkut Durrës-Krujë, Genci Alizoti, në një takim të zhvilluar me drejtues të institucioneve të ndryshme, ka theksuar se përmirësimi i infrastrukturës rrugore në zonat bregdetare si dhe ato që janë afër tyre i ka dhënë një frymëmarrje turizmit, duke krijuar mundësinë që kjo industri të zhvillohet edhe në zona të tjera dhe jo vetëm tek ato që janë afër vijës bregdetare. Alizoti ka theksuar përmirësimin e infrastrukturës rrugore në rrugën Maminas-Gjiri i Lalëzit, rrugën Shën Pjetër-Draç, rrugën Xhafzotaj-Fllakë-Bregdet, rrugën Plepa-Kavajë, që po shkon drejt përfundimit, si dhe punimet e kryera në bashkitë e Krujës, Fushë-Krujës, Sukthit, Manzës dhe komunës së Rrashbullit. I një rëndësie të veçantë cilësohet edhe rritja e numrit të kroçerave turistike, të cilat në axhendat e tyre kanë shënuar së fundmi edhe portin e Durrësit. Qëndrimet disaorëshe në këtë port, kanë shtuar ndjeshëm vizitat e turistëve të huaj në qytetet e Durrësit, Krujës dhe Tiranës.
Problemet
Alizoti ka cilësuar si probleme që kërkojnë sa më shpejt zgjidhje, atë të plazheve private, më i hasur dhe problematik në Bashkinë e Durrësit, mungesën e nyjeve hidrosanitare në këtë plazh, ndotjen në pika të ndryshme të plazhit nga ujërat e zeza, si dhe imazhin e keq që krijohet nga numri i madh i lypësve. Alizoti ka kërkuar nga policia që të marrë masa që lypësit të mos qëndrojnë më në vënde të tilla si port, Ura e Dajlanit dhe “Vollga”, pasi krijojnë një imazh të keq për vendin te turistët që kalojnë më së pari në këto vende. Ai ka kërkuar edhe vendosjen e kamerave në pika të ndryshme të qytetit, në mënyrë që ruajtja e rendit të jetë më e sigurt. Alizoti ka kërkuar gjithashtu që të merren masa drastike për motorët e detit, ashtu siç parashikohet në ligj, pasi në vite e fundit lëvizja e pakontrolluar e tyre ka shkaktuar aksidente të rënda me pasojë jetën e disa pushuesve. Një tjetër pikë që nuk shkon paralelisht me zhvillimin e turizmit në nivel qarku është edhe mungesa e statistikave dhe informacionit, aq sa aktualisht nuk ka shifra zyrtare për kapacitetet turistike të qarkut të Durrësit si dhe fitimet që vijnë nga ky sektor. Personat e pranishëm në këtë takim kanë theksuar probleme të tilla si mungesa e rojës së specializuar të plazheve (bayWatch), mungesa e disa vendbazimeve për motorët e detit si dhe ndotja akustike dhe ajo nga ujërat e zeza dhe mbetjet urbane.
Policia
Në lidhje me vendet se ku duhet të qëndrojnë motorët e detit, drejtori i policisë kufitare dhe migracionit, Saimir Boshnjaku, është shprehur se aktualisht vetëm një vend i tillë është miratuar në Shkëmbin e Kavajës, ndërkohë që nevojitet që çdo njësi e qeverisjes vendore sipas kritereve që përcakton ligji të miratojë vendbazimet për motorët e detit. Drejtori i Agjencisë Rajonale të Mjedisit në qarkun e Durrësit, Ramazan Kalia, është shprehur se Durrësi ka akoma disa pika problematike të plazheve që ndoten nga ujërat e zeza. Ai ka përmendur tri pika të tilla, në Currila, në hyrje të shëtitores “Taulantia” dhe një tjetër pranë vilave qeveritare në Plepa. Në lidhje me ndotjen akustike, Kalia ka thënë se megjithë kërkesën tonë drejtuar njësive vendore, po shohim se po jepen shumë licenca për lokale që përdorin muzikën “live” tej orarit të përcaktuar dhe më problem në këtë drejtim është Bashkia e Durrësit. Kalia ka përmendur edhe problemin e pazgjidhshëm prej shumë vitesh, atë të plazheve private, si dhe ekzistencën e disa subjekteve tek Ura e Dajlanit, të cilat kanë ndikim negativ për turizmin, për shkak të paraqitjes së tyre vizive. Së shpejti ARM pritet të nisë inspektimet dhe kontrollet në terren, në mënyrë që të mos lejohen derdhja e ujërave të zeza në det.