Shtohet kërkesa për plehra kimike, vetëm dy anije sjellin 6 500 tonë ure
DURRËS- Shtohet ndjeshëm kërkesa për plehra kimike në vend. Në portin e Durrësit kanë mbërritur dje dy anije që kanë sjellë në total 6500 tonë pleh kimik të llojit ure. Plehrat kimike të destinuara për bujqësinë kanë nisur të kërkohen më shumë nga fermerët, çka ka sjellë edhe shtimin e sasisë që përpunohet në port me destinacion tregun vendas. Burime nga Autoriteti Portual i Durrësit kanë bërë të ditur se sasia e plehrave kimike që ka ardhur në vend në katër muajt e parë të këtij viti është e barabartë me gjithë sasinë që ka ardhur në vendin tonë për gjithë vitin 2008. Ditën e djeshme ka nisur përpunimi i anijeve “Makbule Ana”, e cila ka sjellë 3200 tonë ure, ndërsa pasdite ka ardhur anija tjetër “Berkay N”, e cila ka sjellë 3253 tonë të tjera. Sasia e këtij plehu kimik është porositur nga firma “Agroblend”, e cila kryen më pas shpërndarjen për fermerët në gjithë vendin. Sasia e këtij plehu kimik ka ardhur rifuxho dhe pas përpunimit është dërguar me kamionë drejt magazinave të firmës me qendër në Vorë. Rritja e kërkesës për plehra kimike ka filluar të vihet re vit pas viti, që prej vitit 2008 dhe 2009. Sipas statistikave në APD-së, në vitin 2008 kanë ardhur në vendin tonë 33 mijë tonë pleh kimik i llojit ure, ndërsa vitin e kaluar kanë ardhur 49 mijë tonë plehra kimike të llojit nitrat dhe ure. Përpunimi i anijeve tregtare pritet të përfundojë brenda dy ditësh. Aktualisht e gjithë sasia e plehrave kimike që nevojitet për bujqësinë shqiptare vjen nga importi, pasi industria vendase u shkatërrua në fillim të viteve ’90. Megjithë humbjet për biznesin vendas në këtë fushë, kërkesa në rritje për plehra kimike konsiderohet si një gjë pozitive, për shkak të zhvillimit të bujqësisë dhe shtimit të sipërfaqeve të mbjella nga fermerët shqiptarë.