Makina merr flakë në autostradë
DURRES - Një çift nga Dibra i ka mbijetuar mrekullisht një aksidenti rrugor në Durrës, kur vetëm dy sekonda pas përplasjes së furishme, autovetura e tyre u përfshi nga flakët. Burime policore nga Durrësi saktësuan se ka qenë ora 07:15, kur makina luksoze e prodhimit britanik "Bentley", mae targë angleze CF 04 HSY, është përplasur në mbështetësen metalike të mbikalimit të fshatit Shën-Vlash, i gjendur mbi autostradën Durrës-Tiranë. Për pasojë është plagosur rëndë drejtuesi i veturës shtetasi M. Jella 35 vjeç nga Dibra dhe pasagjerja që e shoqëronte, identiteti i së cilës nuk është zbardhur akoma nga hetuesit. Makina angleze e drejtuar nga dibrani kishte vetëm 10 minuta që kishte lënë Durrësin, me destinacion Tiranën, dhe në bazë të akt-ekspertimeve të deritanishme aksidenti është provokuar nga shpejtësia e madhe. Për fat të mirë, aksidenti u pa nga shumë drejtues të tjerë mjetesh, të cilët ndaluan për t'u ardhur në ndihmë të plagosurve. o.u