Pogradec, pranga grabitësve të bizhuve
POGRADEC - Arrestohen autorët e grabitjes së pronarëve të dyqanit të bizhuterive në Pogradec. Pas disa ditë kërkimesh, policia e qytetit mundi të prangosë dy persona, të cilët tronditën jo vetëm çiftin që ra peng i tyre, por dhe gjithë qytetin me krismat e armëve. Sipas burimeve të policisë së Pogradecit, autorët e dyshuar janë dy vëllezër, Altin Jesku, 36 vjeç si dhe Nikolla Jesku, 38 vjeç. Nisur nga provat, grupi hetimor i kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi Pogradecin ka arritur në përfundimin se grabitja me armë dhe maska është kryer nga vëllezërit Jesku. Autorët janë njohur edhe gjatë ballafaqimit të tyre me pronarët e dyqanit, H. dhe B.Rakipllari. Autorët kishin zënë pritë në pallatin ku banojnë tregtarët dhe pasi kishin thyer llambat, për të mos bërë dritë, i rrëmbyen atyre paratë dhe bizhuteritë që kishin në çantë. g.a