E Diel, 1 Nëntor 2026

Me mushka nga Lazarati, kapen 180 kile mariuhanë



Piro Nase / Gjirokastër

"Befasia" bllokon 180 kilogramë drogë kanabis sativa që ishte nisur nga Lazarati në drejtim të Greqisë. Aksioni i policisë së Gjirokastrës u zhvillua dje në mëngjes. Sipas burimeve nga Drejtoria e Policisë, droga po transportohej me mushka ndërsa dy personat që e zotëronin atë, janë arrestuar. Harilos Lolis, 22 vjeç dhe Mirel Ademaj 25 vjeç, të dy nga Delvina, kanë rënë në prangat e policisë në kushtet e flagrancës. Burimet zyrtare nga policia thanë se dy të arrestuarit e kishin marrë drogën në Lazarat dhe po e transportonin atë me mushka në drejtim të kufirit me Greqinë në zonën e malit Sopot. Informacionet e marra në rrugë operative nga agjentët e policisë nxorën në dritë edhe destinacionin e drogës, e cila pas mbërritjes në Sarandë, do të trafikohej drejt Italisë. Një pjesë e rrugës do të kryhej me kafshë transporti dhe më pas, ngarkesa pasi të arrinte në malin Sopot në veri të Lazaratit, konkretisht tek stacioni i antenave të televizioneve, do të merrej në dorëzim nga dy personat e arrestuar. Duke ndjekur të gjitha lëvizjet e tyre, uniformat blu të Gjirokastrës, kanë arrestuar të rinjtë nga Delvina, vetëm 200 metra poshtë vendtakimit në rrugën automobilistike që lidh fshatin Varfaj me stacionin e antenave televizive në kodrën e këtij mali. Policia tha se dy personat e ndaluar, po qarkullonin me automjetin tip Mercedez-Benz me targa DL 23 37 A, i cili drejtohej nga Harilos Loli. Brenda automjetit ishte fshehur ngarkesa me mariuhanë, me destinacion qytetin e Sarandës. Droga mësohet se ishte dorëzuar pak çaste para ndërhyrjes së policisë, nga dy persona nga Lazarati që pasi kanë lënë mariuhanën tek pritësit, janë larguar në drejtim të fshatit të tyre. Policia tha se ka identifikuar dy personat që dorëzuan marihuanën duke i shpallur në kërkim ata. Droga ishte vendosur në bagazhin e makinës pasi ishte mbështjellë në 132 pako të mpiksura me letër ngjyrë kafe. Më pas qeset ishin vendosur në një thes plastmasi, me peshë të përgjithshme 180 kilogramë. Ky është aksioni i parë kundër trafikut të lëndëve narkotike, i ndërmarrë nga Policia e Gjirokastrës, fill pas apelimit të dy ditëve më parë nga kreu i Ministrisë së Brendshme Lulzim Basha për goditjen pa asnjë tolerancë të trafikut të lëndëve narkotike në rajonin e Gjirokastrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›