Një ton drogë e Sarandës, hetohet te Krimet e Rënda
TIRANE - Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në dorë hetimin e dosjes së trafikimit të 1 ton marihuanë e cila u bllokua pak ditë më parë në Sarandë. Dosja penale është regjistruar në emër të shtetasit Anvi Seferi i cili po drejtonte furgonin në të cilin policia gjeti sasinë e drogës, mbrëmjen e 20 marsit. Sipas hetimeve të deritanishme të Prokurorisë, mësohet se droga do të shkarkohej në bregdet për tu nisur më pas me skaf në drejtim të vendeve fqinje. Pritësit dhe transportuesit e saj kanë qenë në pritje të konfirmimit për mbërritjen e drogës në bregdet me qëllim që të afronin më pas skafin që do të kryente transportin e saj. Por policia e Vlorës dhe ajo e Sarandës, kishin marrë informacion në rrugë operative lidhur me drogën. Shkak ka qenë fakti se furgoni në të cilin ishte vendosur lënda narkotike ka qëndruar të paktën tri ditë në Sarandë, në pritje të konfirmimeve se skafi ishte gati të bënte tërheqjen e saj pas transportimit në bregdet. Prokuroria e Krimeve të Rënda mësohet se ka dërguar për ekspertim shenja gishtash të gjetura në ambalazhin e pakove të ngarkesës prej 1 ton lënde narkotike kanabis sativa. Ndërkohë është marrë në pyetje edhe drejtuesi i furgonit i cili ende nuk ka pranuar të ketë pasur bashkëpunëtorë në tentativën e trafikimit të ngarkesës më të madhe me drogë të kapur ndonjëherë nga Policia Shqiptare. Veprimet e para për këtë ngjarje u kryen nga Policia e Vlorës dhe më pas dosja i kaloi për kompetencë Krimeve të Rënda. tr.so