Peshk i rrallë në Orikum
VLORE - Peshk i rrallë në Orikum. Mëngjesin e së shtunës, vetëm 100 metër larg bregut ra në rrjetat e peshkimit specia e ngjashme me peshkaqenin për nga madhësia, por jo forma. Në të gjithë trupin ka krahë ujore të mëdha, ndërsa koka është larg krahëve, një veçori jo e hasur ndonjëherë te speciet e kësaj zone. Peshku ka një gjatësi më shumë se 1 metër e gjysmë dhe një peshë rreth 70 kilogramë. Sokol Veizi, në rrjetat e të cilit ra peshku, tregon se ai ishte i rëndë dhe tentonte të çante rrjetën për të shpëtuar. Menjëherë, së bashku me djalin e tij kanë arritur ta tërheqin në varkë peshkun, i cili, përgjatë gjithë kohës që ishte transportuar deri në breg, kafshonte mjetin me forcë të madhe. Asnjë prej peshkatarëve të Orikumit nuk ka vënë re më parë një peshk të tillë. Ata thonë se, e veçantë tjetër për këtë lloj peshku, është se, ndonëse organet riprodhuese dukeshin mashkullore, në brendësi të tij janë gjetur vezë. Si dhe në rastet e tjera, peshku është copëtuar dhe shfrytëzuar për konsum. q.b