Pastronte armën, vetëvritet 21-vjeçari
MIRDITE - Arma që mbante pa leje i merr jetën 21-vjeçarit nga fshati Kodër i Mirditës. Rudolf Kola, sipas burimeve të policisë, bazuar te dëshmitë e familjarëve, po pastronte një pistoletë pasditen e së premtes. I riu kishte përfunduar pastrimin dhe ka dashur të fusë krëhërin e fishekëve. Duke menduar se ai ishte bosh, Kola ka luajtur me këmbëzën e armës së zjarrit. Por, një plumb i harruar brenda pistoletës e ka qëlluar drejt e në kokë të zotin e armës. Familjarët e tij, të cilët dëgjuan krismën kanë gjetur 21-vjeçarin në gjendje të rëndë. Një helikopter ka bërë transferimin e të plagosurit nga spitali i Mirditës për në Spitalin Ushtarak, por i riu ndërroi jetë pa mundur t'i nënshtrohet ndërhyrjes. Policia e Mirditës pohoi se vdekja e Rudol Kolës ishte aksidentale. r.n