Makina në Devoll, 4 të zhdukur
GRAMSH/ ALDO KOZARIA
Katër të vdekur në një aksident tragjik. Ky dyshohet të jetë fati i udhëtarëve në furgonin e linjës Gramsh-Korçë, pas ngjarjes së ndodhur pasditen e së shtunës. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në fshatin Mollë-Grebovë, zonë e thellë malore, në kufi mes dy qyteteve. Sipas policisë dyshohet se një mjet tip furgon me targa KO 1893 B të ketë dalë nga rruga për të përfunduar në ujërat e rrëmbyera të lumit Devoll. Alarmi i familjarëve se kishin humbur lidhjet me ta ka vënë në lëvizje policinë, bazuar dhe te dëshmia e një banori të fshatit të thellë malor, i cili ka pikasur dje në mëngjes në ujërat e lumit një objekt të ngjashëm me një kabinë makine.
Aksidenti fatal për shoferin dhe 3 udhëtarët e tij mendohet të ketë ngjarë rreth orës 18:00. Të dhënat flasin se Ilir Sogani, 32 vjeç, drejtuesi i furgonit, bashkë me Dritan Ballën, 38 vjeç, Petrit Ahmeti, 20 vjeç si dhe Behar Senkollarin, 18 vjeç, po udhëtonin nga Gramshi, në drejtim të Korçës. Ata janë nisur rreth orës 16:30 të pasdites për në Korçë, duke shfrytëzuar rrugën e dikurshme lidhëse për dy rrethet. Duke menduar se nëpërmjet kësaj rruge nuk do të shkurtonin kohë, nuk e kanë marrë parasysh rrezikun për të lëvizur në muzg, në një rrugë që është tejet e amortizuar dhe pa asnjë lloj investimi prej vitesh. Ekspertët e policisë që janë nisur drejt vendit të ngjarjes, pas njoftimit të bërë, dyshojnë se mjeti ka humbur kontrollin, pasi kishte udhëtuar rreth 30 km. Në një pjesë disheze, në rrugën paralel me rrjedhën e lumit Devoll, dyshohet se furgoni ka pësuar defekt. Për rrjedhojë, makina ka përfunduar jashtë rruge e më tej direkt në lumin e thellë dhe të rrëmbyeshëm në këto ditë. Nisur nga këto rrethana janë humbur shpresat që udhëtarët të kenë mbijetuar.
Gjatë mbrëmjes së të shtunës, familjarët e tyre janë interesuar në mënyrë private, por pa e menduar se çfarë mund t'u kishte ndodhur. Mëngjesin e djeshëm, kur nuk ka pasur asnjë shenjë për ta janë interesuar në policinë e Korçës. Ndërkohë, në sallën operative të policinë e Gramshit kishte mbërritur sinjali i banorit të fshatit për një kabinë makine në rrjedhën e lumit. Menjëherë janë hedhur dyshimet dhe një grup forcash policie janë nisur drejt zonës së thellë, e cila ndonëse i përket Korçës, ishte shumë e vështirë rrugëtimi prej qytetit juglindor. Pak ditë më parë u shemb dhe ura e Moglicës, e cila lidh Korçën me Gramshin. Sipas burimeve nga policia e Gramshit mësohet se ata kanë përcaktuar zonën, nga ku mund të ketë rrëshqitur makina. Shenjat e lëna nga mjeti janë fiksuar prej ekspertëve, të cilët kanë kërkuar ndihmën e forcave të RENEA-s, për të nisur kërkimet në ujë. Gjatë ditës së djeshme ka qenë e pamundur që të kryheshin kërkime, pasi rrjedha e Devollit ishte shumë e rrëmbyeshme, për shkak të prurjeve të shumta.
Pritet që sot, forcat e specializuara të hyjnë në ujërat e lumit, për të gjetur trupat e pajetë të udhëtarëve, të cilët dyshohet të jenë mbytur gjatë rënies së makinës. Viktimat janë banorë të fshatit Mollë-Grabovë të Korçës. Të afërm të tyre dhe banorë të zonës kanë kryer kontrolle përgjatë rrjedhës, por pa gjetur ndonjë gjurmë të mjetit apo të viktimave.
Viktimat
Ilir Sogani, 32 vjeç
Dritan Balla, 38 vjeç
Petrit Ahmeti, 20 vjeç
Behar Senkollari, 18 vjeç