Gjeorgji, rusët bombardojnë objektivat ushtarake
Ministria e Brendshme gjeorgjiane thotë se avionë rusë kanë kryer sulme të tjera me bomba pranë kryeqytetit, Tbilisi. Sipas saj, sulmet e fundit u kryen në orët e para të mëngjesit të së hënës dhe kishin si objektiv një bazë ushtarake dhe një radar.
Por, me gjithë konfirmimin e bombardimeve, nuk njoftohet ende nëse ka viktima.
Më herët, Gjeorgjia tha se Rusia kishte bombarduar aeroportin ndërkombëtar pranë Tblisit.
Rusia e ka akuzuar Gjeorgjinë se është duke përhapur informacione të rreme.
Ndërkohë dhjetra mijëra njerëz janë larguar nga qyteti gjeorgjian Gori, pranë kufirit me Osetinë Jugore, për shkak të frikës nga trupat ruse që po drejtohet nga Gori.
Gori u vu nën sulmet e artilerisë ruse të shtunën. Rusia thotë se luftimet vazhdojnë në Osetinë Jugore, megjithëse deklaratën e mëhershme të Gjeorgjisë për armëpushim.
Reagimi amerikan
Shtetet e Bashkuara kanë qënë mjaft kritikë ndaj veprimeve ushtarake ruse kundër Gjeorgjisë.
Gjatë një bisede telefonike me presidentin gjeorgjian, Mikhail Saakashvili, zv/presidenti amerikan, Dick Cheney, tha se agresioni rus "nuk duhet të kalonte pa përgjigje" dhe se vazhdimi i tij do të kishte pasoja serioze.
Korrespondenti i BBC-së Justin Ëebb thotë se telefonata e zotit Dick Cheney duket se ka qënë jo vetëm një përpjekje për të dërguar një mesazh solidariteti, por edhe gadishmërie për veprim.
Zoti Cheney vlerësoi edhe përmbajtjen e qeverisë së zotit Saakashvili.
I pyetur të shpejgonte se çfarë donte të thoshte me shprehjen "të mos kalonte pa përgjigje", zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Gordon Johndroe tha se se do të thoshte "që të mos qëndronte."
Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë refuzuar të spekulojnë lidhur me atë se çfarë do të bënte Amerika nëse vazhdonte veprimi ushtarak rus.
Ndërkaq presidenti Bush, gjatë një interviste për televizionin amerikan direkt nga Pekini tha se kishte shprehur shqetësimin e tij të thelllë për kundërpërgjigjen e tepruar të Rusisë.
Moska këmbëngul në një tërheqje të plotë gjeorgjiane përpara se të hyjë në fuqi ndonjë lloj armëpushimi.
Ende pa rezolutë
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të hartojnë një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përmes të së cilës do të dënohet sulmi ushtarak rus ndaj Gjeorgjisë.
Sipas BBC-së, një deklaratë e tij do të merrte veton automatike të Moskës, e cila e akuzon Gjeorgjinë për gjenocid ndaj popullit të Osetisë Jugore, një pjesë e madhe e të cilëve janë shtetas rusë.
Këshilli i Sigurimit nuk arriti përsëri një qëndrim të përbashkët lidhur me krizën, megjithë takimin e katërt brenda disa ditësh.
Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kouchner, i cili po vepron në emër të Bashkimit Evropian, ka shkuar në Tbilisi në një mision për t'i dhënë fund luftimeve.
Zoti Kouchner tha se kishte një plan francez për situatën:
"Armëpushim fillimisht, pastaj hapja e rrugës për të shkuar tek viktimat, e treta tërheqje e trupave, tërheqje e kontrolluar e trupave, e katërta kthimi në tryezë, negociata, bisedime për paqe, zgjidhje politike."
"Kjo është e gjitha. Më vjen keq, është e lehtë të thuhet, por e vështirë për t'u bërë, tha zoti Kouchner. (BBC)