Makina përfundon poshtë maunes, humbin jetën në aksident 3 udhëtarë
ELBASAN - Vetura përfundon poshtë maunes, humbin jetën 3 persona. Aksidenti me pasoja tragjike ndodhi rreth orës 15:00, në aksin nacional Elbasan-Librazhd, pranë fshatit Xibrakë. Një autoveturë tip "Fiat", ku udhëtonin tre viktimat tentoi të parakalonte në rrugë maunen me targë të Shkupit. Por, sapo ka bërë këtë veprim shoferi, përballë i ka dalë një tjetër mjet, duke e detyruar të frenojë fort. Pasojat e frenimit në një terren të rrëshqitshëm ishin fatale për jetët e udhëtarëve. Menjëherë në vendngjarje është nisur policia si dhe një autoambulancë e qendrës spitalore "Xhafer Kongoli" në Elbasan. Por pavarësisht se ndihma ka qenë e menjëhershme, nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi për ta. Jo vetëm për shkak të përplasjes, por dhe se është dashur një kohë e konsiderueshme deri në nxjerrjen e viktimave nga makina me targë EL 9740 A. Pas dërgimit në morgun e spitalit janë identifikuar viktimat. Sipas policisë, në timonin e makinës ndodhej Ismail Zyma, 49 vjeç nga Cërriku, i cili ndërroi jetë bashkë me Fatmir Buzën, 39 dhe Fatmir Hasën, 45 vjeç. Sipas hetimeve të para të policisë rrugore, aksidenti ka ndodhur për shkak të parakalimit të gabuar, shpejtësisë si dhe lagështisë në rrugë, çka ka bërë që mjeti të humbë kontrollin duke u përplasur me maunen që udhëtonte drejt Durrësit. Drejtuesi i maunes është marrë në pyetje nga policia, ndonëse nga të dhënat e ekspertëve ai nuk ka qenë shkak për aksidentin e rëndë. Aksidenti i djeshëm është më i rëndi i ndodhur në qarkun e Elbasanit gjatë këtij viti, ndonëse aksidentet me pasojë vdekjen kanë qenë të shpeshtë në numër. a.k