E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqet toka, shemben 5 shtëpi

 BERAT/ DILAVER XHELILIRrëshqet toka, shemben 5 shtëpi në lagjen "Muzakaj" të Beratit.Reshjet e pandërprera të ditëve të fundit kanë tronditur themelet e godinave të ndërtuara vitet e fundit poshtë kodrës së kalasë. Banorët kanë dalë me shpejtësi, pasi mund të kishte pasoja fatale për jetën e tyre. Pesë shtëpi u shndërruan në të pabanueshme brenda pak sekondash të mëngjesit të djeshëm, të tjera u plasaritën dhe rreth 200 rrezikohen nga shkëputja masive e tokës. Disa prej banorëve janë detyruar të evakuohen tek të afërmit e tyre. Rrëshqitja e dheut po avancon, ndaj ata i kërkojnë ndihmë shtetit sa nuk është shkaktuar ndonjë tragjedi. Familjet e 5 banesave të shembura kanë dalë jashtë së bashku me fëmijët e tyre, sapo ata kanë ndjerë tronditjen. Pas saj, ata kanë dëgjuar edhe një zhurmë të madhe, e cila u shoqërua me shkëputjen e menjëhershme të tokës. Tepër të alarmuar, duke menduar fillimisht për ndonjë tërmet, familjarët kanë nxituar të nxjerrin jashtë fëmijët. Këta të fundit përjetuan momente paniku, pasi ende ndodheshin në gjumë dhe nuk po arrinin të perceptonin atë që po ndodhte. Nga pesë banesat e shembura, tre prej tyre ishin dykatëshe dhe dy të tjera njëkatëshe. Tashmë e gjithë sipërfaqja e kësaj lagjeje ka pësuar plasaritje, duke mos garantuar më jetën e banorëve që jetojnë në të. Nga momenti në moment, shembja ka gjasa të avancojë e për pasojë, jeta e familjarëve është në rrezik. Gramoz Berberi është një nga banorët, shtëpia e të cilit u shemb. "Ishte ora 06:00. Ende nuk ishim zgjuar kur dëgjuam zhurmë të madhe. U ngrita dhe nxora fëmijët përjashta. Nga çarja e tokës u shemb shtëpia. Shumë banesa të tjera pësuan plasaritje dhe rrezikojnë të bien. Tashmë kam mbetur me gjithë fëmijët në qiell të hapur" u shpreh Berberi. Shtëpitë në këtë zonë janë ndërtuar kryesisht gjatë viteve të trazicionit, pa e marrë parasysh rrezikun që ekziston. Në vend mbërriti edhe kryebashkiaku Nasifi si dhe përfaqësues lokalë. Ai mblodhi këshillin bashkiak ku vendosën që për pesë familjet e dëmtuara të jepeshin nga 100 mijë lekë me qëllim që ata të gjejnë shtëpi me qira. Deri atëherë, atyre iu dhanë çadra për t'i shfrytëzuar për strehim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›