Pinjollët e të mëdhenjve një koncert homazh
ALMA MILENuk ishte thjesht një rastësi. Ata janë fëmijë prindërish të njohur dhe së bashku përcjellin një traditë të trashëguar. Në kuadrin e Stinës Koncertore të Dimrit 2009, në skenën e Akademisë së Arteve u dha një koncert vokal-instrumental, që kishte për protagonistë pianisten Laura Kushta, Aristidh Prosi në violonçel, sopranoja Ledi Paparisto dhe Bashkim Barbullushi në klarinetë. Kuarteti interpretoi një program të zgjedhur me krijimtari të huaj e shqiptare. U luajt për herë të parë nga instrumentistë shqiptarë Trio op. 38 për piano, violonçel dhe klarinetë nga Ludwig van Beethoven, një vepër e vështirë dhe e shtrirë në kohë, por edhe një Mozart, një duo dhe një romancë e kompozitorit shqiptar Shpëtim Kushta. Por përveç muzikës, i cili është pasioni i madh i jetës së tyre, tre prej koncertistëve i lidh edhe tradita artistike. Pianistja Laura Kushta është e bija e kompozitorit Shpëtim Kushta, i njohur nga të gjithë për një nga perlat e muzikës së lehtë shqiptare "Mesnatë", violonçelisti Aristidh Prosi është i biri i aktori të madh Sandër Prosi, interpretues i sa e sa roleve në teatër e Kinema, ndërsa Ledia Paparisto e bija e një prej themeluesve të Akademisë së Arteve, prof. Robert Paparisto. Dhe në një mënyrë, apo tjetër karriera e prindërve ka ndikuar edhe në zgjedhjet e tyre qysh fëmijë. Ata u janë mirënjohës, sepse moskuptimit të fëmijës së dikurshëm, ia la vendin pasioni. Pianistja Laura Kushta nuk fsheh se koncerti që ata realizuan është edhe një homazh dedikuar prindërve të tyre. Ishte ideja e organizatorëve të puqte së bashku këta artistë në bazë të ndjeshmërisë dhe natyrës së tyre artistike, por edhe për të mbledhur së bashku pinjollët e disa prej emrave më të njohur të kulturës shqiptare. Por ata nuk mbetën thjesht bij të prindërve të famshëm, pasi të gjithë kanë krijuar një karrierë të qëndrueshme muzikore. Kësaj trioje i bashkohet edhe klarinetisti i talentuar Bashkim Barbullushi, gjithashtu me tradita familjare në fushën e muzikës. Këtë e tregoi edhe koncerti i mbajtur në Akademinë e Arteve që mori vlerësimin e publikut të thjeshtë dhe atij të specializuar. "Ishte një nga ato mbrëmje që spektatori ka dëshirë t'i përsëriten. Admiruam një ansambël të ri, i cili për nga emocioni dhe kënaqësia që i dhuruan publikut, të krijonte përshtypjen e një bashkëpunimi të gjatë, të shprehur përmes unifikimit sonor dhe natyrshmërisë së komunikimit", thotë pianistja Nora çashku. Sipas saj, kjo trio e përbërë nga mjeshtrit Aristidh Prosi, violonçelisti i parë në Orkestrën e RTSH-së, Bashkim Barbullushi, pianistja Laura Kushta dhe sopranoja Ledi Paparisto, e cila iu paraqit publikut pas një mungese të gjatë me një performancë mbreslënëse, bënë që veprat e Mozart, Beethoven dhe Shpëtim Kushtës, të luajtura me nivel të lartë, të mbeten në kujtesën e atyre që e ndoqën. Një mbrëmje plot mbresa do ta quante koncertin recital, shefi i Katedrës së Kantos. prof. Burhan Spahiu. "Repertori virtuoz i zgjedhur prej tyre, u përcoll tek publiku, duke lënë shijen e një interpretimi plot kulturë, plot stil dhe elegancë. Vepra Trio op 38 e Beethoven, një vepër impenjative, e gjatë dhe e plotë erdhi e unifikuar, duke tingëlluar si një ansambël i vërtetë", u shpreh Spahiu pas koncertit. Sipas tij, të tre interpretët shpalosën një lojë sofistike, por edhe një grup vërtetë fin, mbi të gjitha me stilin beethovian. "Përveç kësaj vepre shijuam edhe duon virtuoze për çelo dhe piano të kompozitorit Shpëtim Kushta, "Kambanat e heshtjes", ku çelisti prosi, një mjeshtër i këtij instrumenti interpretoi në mënyrë virtuoze, së bashku me partneren Kushta. Përveç surprizës së këtij bashkëpunimi, një moment emocionues ishte edhe interpretimi teknik i sopranos Paparisto, e cila mungonte prej vitesh në skenën tonë. Jam i kënaqur dhe ndihem vërtetë mirë, që kjo soprano është studente në klasën time dhe pianistja është bashkëpunëtorja ime më e ngushtë dhe pianistja e klasës sime prej vitesh", tha ai. Programi "Alleluia", arie nga kantata "Exultate jubilate" Wolfgang A. Mozart"Pleshti dhe xixëllonja", romancë, Shpëtim Kushta"Kambanat e heshtjes", duo për violonçel dhe piano, Shpëtim KushtaTrio op 38 për piano, violonçel dhe klarinetë, Ludwig van Beethoven