Makinat, Bode rrëzon Pollon
ADI SHKEMBI
Ministri i Financave, Ridvan Bode, rrëzon propozimin e zv.kry-eministrit Genc Pollo për makinat e kryeministrisë. Në mbledhjen e fundit të qeverisë u shqyrtuar projektvendimi i hartuar nga Pollo, që kishte të bënte pikërisht me skemën e re të makinave të zyrtarëve të lartë të kryeministrisë. Por, sipas Ministrit të Financave, ky variant rrit shpenzimet e kryeministrisë dhe për këtë u vendos që drafti të kthehej për rishqyrtim. Gazeta ka siguruar letrën nga Ministria e Financave, që kreu i këtij dikasteri i ka dërguar zv.kryeministrit.
Bode
Në përgjigjen e kreut të Financave thuhet se nxjerrja e një vendimi të tillë mund të bëhej për të gjithë administratën publike dhe jo vetëm për një institucion. "Në kushtet kur qeveria ka si objektiv parësor shkurtimin e shpenzimeve administrative, ky projekt është në drejtim të kundërt të tij, pasi pavarësisht se pretendohet të ketë kursim nga shpenzimet aktuale, ky propozim mendojmë se është shumë i kushtueshëm për buxhetin. Ky projekt krijon një precedent të menjëhershëm për gjithë administratën publike, duke krijuar kosto shtesë për buxhetin. Edhe funksione të cilat deri tani nuk janë trajtuar me automjet, do të kërkojnë për analogji trajtim me pagesë", thuhet në letrën e Bodes. Gjithashtu, sipas kreut të financave, nuk shpjegohet pse është vendosur të trajtohet me shërbim transporti, funksionet deri në drejtor drejtorie. "Ndarja në dy kategori trajtimi (me automjetin personal apo me leasing) nuk është e saktë pasi nuk do të kishte interes të përdorej automjeti personal, nëse ofrohej një automjet i paguar nga shteti me leasing. "Në llogaritjen e vlerës së kompensimit mendoj se nuk janë mbajtur parasysh edhe udhëtimet jashtë Tiranës, të cilat sot përballohen nga shpenzimet e buxhetit. Po t'i shtojmë shpenzimeve të llogaritura me kompensimin fiks dhe shpenzimet jashtë Tiranës, propozimi besoj se nuk do të dalë me reduktim të shpenzimeve, por në të kundërt", thuhet më tej në letrën e kreut të Financave.
Vendimi
Sipas draftit të hartuar nga zv.kryeministri Genc Pollo, stafi politik i kryeministrit, zv.kryeministrit dhe drejtorët e drejtorive të përgjithshme do të përfshihen në një skemë të re përsa i përket transportit. Funksionarët e lartë politikë dhe nëpunësit civilë të kryeministrit, zv.kryeministrit, sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, drejtorit të kabinetit të kryeministrit, shefit të Protokollit dhe zëdhënësit të kryeministrit, drejtorit të kabinetit të zv.kryeministrit, këshilltarëve të kryeministrit dhe të zv.kryeministrit, ndihmësve të kryeministrit, drejtorëve të përgjithshëm, drejtorëve të departamentit dhe drejtorëve të drejtorive do t'u garantohet shërbimi i transportit nga kryeministria. "Kryeministrit, zv.kryeministrit, sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, drejtorit të kabinetit të kryeministrit, shefit të protokollit dhe zëdhënësit të kryeministrit, u caktohet automjet dhe shofer në dispozicion të përhershëm me shpenzimet e kryeministrisë", thuhet në pikën 2 të këtij drafti. Ndërkohë, sipas kësaj skeme, do të përfshihen edhe kontratat leasing (marrja me qira) si dhe përdorimi i makinave personale për shërbime pune, kundrejt një kompensimi financiar.