Rama: Partitë janë bërë të padurueshme për qytetarët
Kryetari i PS ka qenë i ftuar të marrë pjesë në ngritjen e Bordit të Dialogut me Shoqërinë, të krijuar në qytetin e Vlorës. Bordi qytetar është një strukturë autonome, pasi përbëhet nga qytetarë dhe jo anëtarë partie. Gjatë fjalës së tij, kryetari socialist Edi Rama vlerësoi bordin si ura lidhëse mes partive dhe qytetarëve. "Politika kur mbetet vetëm një ushtrim i politikanëve, është detyrimisht një trysni shpeshherë e padurueshme për qytetarët, por këtë nuk mund ta zgjidhin politikanët, në rast se nuk duan ta zgjidhin qytetarët, të cilët duhet të angazhohen pa qenë domosdoshmërish të detyruar të bëhen politikanë apo anëtarë partie", tha kryetari i PS, Edi Rama. Duke e konsideruar Bordin e Dialogut me Shoqërinë si një urë lidhëse mes partisë dhe njerëzve, Rama ka nënvijëzuar nevojën e afrimit të Shqipërisë reale me Shqipërinë në letër, të cilat kanë një ndryshim të madh me njëra-tjetrën. "Ju të jeni ura ku shkojnë dhe vijnë mendimet, ku shkojnë e vijnë opinionet, ku shkojnë e vijnë idetë dhe ku shkojnë dhe vijnë energjitë, që na duhen për t'i marrë por edhe për t'i ekzekutuar vendimet, në mënyrë që Shqipëria reale të jetë shprehje e Shqipërisë në letër", vijoi Rama. Në përfundim të këtij takimi, kreu i PS ka nënvijëzuar se ngritja e këtyre bordeve në të gjithë vendin do të bëjë të mundur sjelljen e qeverisë në një mënyrë ndryshe, në raport me qytetarët, pas fitores së sigurt të Partisë Socialiste në vitin 2009. Edhe në takimin me qytetarët vlonjatë, kreu socialist përsëriti domosdoshmërinë e bërjes së politikës përtej kufijve ideologjikë dhe partiakë. "Shqipëria është shumë e vogël dhe shumë e varfër për t'u ndarë me këtë hendek të madh që ka hapur politika në emër të së majtës dhe të së djathtës. Por nga ana tjetër nuk duhet të kemi iluzione që mjafton të ndërrojmë këtë pushtet me një pushtet tjetër dhe gjërat do të jenë si nata me ditën, kjo nuk mjafton. Duhet që të ndërrojmë natyrën e pushtetit dhe për ta ndërruar natyrën e pushtetit duhet të ndërrojmë natyrën e procesit politik", tha Rama.