E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vërteta zhele-zhele

Edmond Tupja 

Në fakt, jemi mësuar të dëgjojmë të thuhet shprehja “e vërteta lakuriqe” domethënë, paradoksalisht, e moralshme; logjikisht dhe rrjedhimisht, një e vërtetë e veshur, e mbuluar, është, po aq paradoksalisht, e pamoralshme. Por të vërtetat lakuriqe, të paktën në Shqipërinë e sotme, po bëhen sa vjen e më të rralla: në çdo fushë të jetës, sidomos të asaj politike, është shfaqur prej vitesh një lloj i ri të vërtete, ai i së vërtetës zhele-zhele. Kjo e vërtetë e tregon vetëm vende-vende lakuriqësinë e saj, sepse, me gjithë përpjekjet e saj të dëshpëruar për të mos u veshur, po e sheh ...veten të mbuluar me lloj-lloj zhelesh të gjitha ngjyrave dhe kutërbimeve.Sa për ilustrim, le të më lejojë lexuesi im i vëmendshëm dhe i paanshëm që të nisem, në këtë përsiatje, nga dy shembuj: çështja e Gërdecit dhe ajo e Fazlliçit. Dy krahët e politikës shqiptare, i paraqitën këto dy çështje nën këndvështrime të ndryshme, madje të kundërta; u çorodit ose edhe u përça kështu opinioni shoqëror në funksion të simpative të tij politike (por jo vetëm të tilla); sipas kanalit televiziv që mund të ndiqte ose sipas gazetës që mund të lexonte individi shqiptar, luhatej edhe mendimi i tij: e vërteta, pra, luante kukafshehtas me të: herë i shfaqej lakuriqe dhe e herë e veshur me një stil të tillë që i dukej e veshur me zhele. Këto zhele, të sajuara me kujdes ose pa kujdes, me mjeshtëri ose pa mjeshtëri, me art ose pa art, nga politikanë, gazetarë, analistë, opinionistë etj., etj. të të gjitha ngjyrave dhe shijeve, të sinqertë, gjysmë të sinqertë, kritikë, kritizerë, idealistë, materialistë, hulumtues vullnetarë apo të paguar, herë lejonin që era e ngjarjeve t’i tunde ato duke mundësuar kështu që lakuriqësia në fjalë të binte në syrin e shqiptarit të thjeshtë, herë e fshihnin pikërisht këtë lakuriqësi duke krijuar një pështjellim të rrezikshëm në mendjen e tij tashmë të pështjelluar.
Eshtë krijuar kështu një klimë dypolëshe ku mund të themi se çdo shqiptar ka të vërtetën e vet së cilës i beson deri diku dhe gjysmë përciptazi përderisa nuk e ka ballafaquar atë, duke ruajtur gjakftohtësinë, me të vërtetën e tjetrit; por, edhe kur, me ta bërë këtë ballafaqim, atij i mbushet mendja se e vërteta e tjetrit është më bindëse (çka ndodh rrallë), ai edhe kësaj i beson deri diku dhe gjysmë përciptazi, duke dhënë kështu ndihmesën e tij (vetë)çoroditëse në zhelimin dhe zhulosjen e së vërtetës.
Po, i nderuar lexuesi im i vëmendshëm dhe i paanshëm, jemi të pranishëm në shfaqjen e një dukurie të dyfishtë, të cilën e ilustron pikërisht kjo lojë fjalësh: “nga zhelimi në zhulosje”! Në epokën e sotme, e vërteta tek ne e ka humbur pjesërisht lakuriqësinë e saj jo vetëm se e kanë stolisur me zhele, por edhe sepse e kanë zhulosur në ato zona ende të pazheluara. Përballë kësaj situate, një gjë është tejet e sigurt: një rrezik i madh i kanoset asaj pjese të ndërgjegjes së shqiptarit që, për fat, ka mbetur e panjollosur, sepse, një ditë të bukur apo, më saktë, të shëmtuar, e vërteta mbi shpirtin e tij mund të gdhihet edhe zhele-zhele, edhe e zhulosur në mënyrë të tillë që atij do t’i duhet të kalojë kohë dhe të harxhojë energji për ta pastruar atë para se fëmijët e tij, në një të ardhme jo fort të largët, ta gjykojnë atë për zhelet dhe zhulin e dyshimtë apo të neveritshëm që nuk diti ta flakë tutje.
Në njërin prej librave të vet, frëngu Romain Rolland shkruan: “Bota ushqehet me pak të vërtetë dhe me shumë gënjeshtra”. Fakt i trishtuar ky, por i pamohueshëm, kam përshtypjen, madje bindjen. Me këto që po ndodhin në realitetin kompleks e të koklavitur shqiptar, a do të vazhdojë opinioni ynë shoqëror të lejojë që ajo pak e vërtetë me të cilën ushqehet me pikatore, të jetë zhele-zhele dhe tërë zhul?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›