Dy partitë e çamëve drejt bashkimit
Muhedini dhe Idrizi shpallin unifikimin. Ngrihet ekipi negociator
Drejt bashkimit në një formacion të vetëm politik dy partitë që përfaqësojnë popullsinë çame në Shqipëri. Vullneti politik është bërë i njohur dje publikisht nga dy krerët e partive përkatëse: kryetarit të Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini dhe kryetarit të Partisë për Unitet dhe Integrim, Shpëtim Idrizi. Deklaratat janë bërë dje në aktivitetin e shoqërisë patriotike dhe atdhetare “çamëria”, e cila dje ka festuar 19-vjetorin e kësaj partie. Ky zhvillim i ri është bërë i ditur në fillim nga Muhedini, i cili ka bërë të ditur dhe nisjen e bisedimeve për unitet. Ndërkaq, strukturat më të larta të PDU-së që drejtohet nga Idrizi, dy ditë më parë kanë vendosur fillimin e negociatave për bashkim, duke caktuar sekretarin e përgjithshëm të kësaj partie, Amos Dojaka, deputetin Dashamir Tahiri, si pjesë e grupit që do të merret me modalitetet e bashkimit, që siç duket do të konkretizohet së shpejti. Në aktivitetin e djeshëm, kreu i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini, ka theksuar që është koha që çamët duhet të jenë bashkë në një grupim politik në mënyrë që të përfaqësojnë më fuqishëm interesat e tyre dhe të mbrojnë ato qëndrime që përbëjnë dhe aspiratat e gjithë popullsisë çame. Ndërkaq, në fjalën e tij, kryetari i Partisë për Unitet dhe Integrim, Shpëtim Idrizi, deklaroi që “PDU vendosi që të shprehë vullnetin politik për bashkim me të gjitha forcat politike, që kanë në themel çështjen çame e jemi të gatshëm të fillojmë negociatat politike për këtë. Ne vendosëm të mandatojmë katër personalitete të rëndësishëm të kësaj force politike për të negociuar modalitetet e këtij bashkimi. Ky është një vendim institucional e ne jemi të bindur që duhet të ecim përpara të bashkuar”. Komuniteti çam i organizuar politikisht numëron sot në Parlamentin shqiptar dy deputetë që janë: Dashamir Tahiri dhe Shpëtim Idrizi, të cilët i përkasin Partisë për Unitet dhe Integrim.
#