E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçi: PSV ’91, sekretar për emigracionin

 

PS e Vërtetë ’91 ka vendosur risinë në organizimin e partive politike shqiptare. Mbledhja e KPD-së së saj vendosi të ketë një sekretar të veçantë për emigracionin. Drejtuesit e kësaj partie dolën dje për herë të parë pas mbledhjes së Komitetit të saj të Përgjithshëm Drejtues. Petro Koçi tha dje në një konferencë për shtyp se “PSV ‘91 është organizatë politike e themeluar, ndërtuar dhe drejtuar nga socialistë përparimtarë dhe parimorë, ku përfshihen jo vetëm bashkëthemelues me përvojë të PSSH-së në 12 qershor ‘91, por edhe përfaqësues të tjerë me kontribute të spikatura, si edhe të rinj të integruar në Forumin ‘Socialistët e Rinj’. Koçi bëri të njohur dhe vendimet e marra në KPD-në e kësaj partie, si zgjedhjen e Leontiev Çuçit si Sekretar Ndërkombëtar të PSV ’91 dhe përcaktimin e funksionit të Sekretarit për Emigracionin, risi në organizimin e partive politike shqiptare. Drejtuesi i PSV ’91 e cilësoi “bashkimin Rama–Berisha të 21 Prillit si një Bashkim të Zi politik sepse sanksionoi në kushtetutë pakontrollueshmërinë e qeverive dhe kthimin e qytetarëve nga pjesëmarrës e kontrollues të politikës e të vendimmarrjes, në spektatore dhe duartrokitës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›