E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makinat e vjedhura, bllokohen 15 në Kukës

Një shqiptar i Kosovës dhe një serb kanë rënë në prangat e Policisë së Kukësit dje për vjedhje të mjeteve motorike, ndërsa 15 makina të shtrenjta janë bllokuar nga policia për verifikime, pasi dyshohet se janë të vjedhura në Perëndim dhe të pajisura me targa shqiptare në mënyrë ilegale.

Arrestimet

Mëngjesin e djeshëm, policia lokale e Kukësit ka shoqëruar për në komisariat një shqiptar të Kosovës dhe një serb, pasi dyshohet se kanë kryer trafik mjetesh motorike në bashkëpunim. Të akuzuarit janë Isuf Akta dhe D. Postiç, përkatësisht 39 dhe 32 vjeç, të cilët u ndaluan në Doganën e Morinit në orën 03.00 të mëngjesit të djeshëm. Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia e doganës u konstatua se fuoristrada ku ata udhëtonin kishte mangësi në dokumentacion. Burime zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur se po punohet në bashkëpunim edhe me Interpolin për të vërtetuar dyshimet që mjeti "Mitsubishi" ku udhëtonin shqiptari dhe serbi është i vjedhur. Shqiptari nga Prishtina dhe serbi nga Beogradi do të mbahen të shoqëruar, ndërsa të dyshuarit kanë thënë se mes tyre kishte lidhje biznesi, por që mjeti nuk ishte vjedhur. Policia e Kosovës, por edhe e Shqipërisë, edhe më parë kanë zbardhur ngjarje penale, kryesisht trafik qeniesh njerëzore e mjetesh motorike, ku si protagonistë janë gjetur persona me kombësi dhe shtetësi të ndryshme: shqiptarë, serbë etj.

Bllokimet

Inspektorati i Qarkullimit Rrugor, si edhe sektorë të tjerë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës, kanë organizuar gjatë gjithë ditës së djeshme në rrugët e Kukësit aksionin e koduar "Targa e falsifikuar", me qëllim evidentimin dhe bllokimin e të gjitha mjeteve me mangësi në dokumentacion, e kryesisht me targa të falsifikuara. Burime zyrtare nga kjo drejtori kanë bërë të ditur se deri në mesditë ishin bllokuar 15 autovetura të prodhimit të viteve të fundit, që cilësohen ndryshme si autovetura luksi, për të cilat dyshohet se kanë targa false. Mësohet gjithashtu se numri i makinave me targa false në Kukës është shumë më i madh dhe se, nëse dyshimi i policisë vërtetohet, këto mjete do sekuestrohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›