E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset me thikë në oborrin e shkollës nxënësi

Një grindje fëmijësh në shkollën 9-vjeçare "Tre Dëshmorët" të Vloçishtit në Korçë për pak sa nuk i marrë jetën një 13-vjeçari. Një nxënës i klasës së tetë është plagosur me thikë nga shoku i tij i klasës, por për fat të mirë plagët nuk i kanë prekur organet jetësore. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se E. Meçollari, 13 vjeç, nxënës në klasën e tetë, është qëlluar dy herë me thikë nga shoku i tij me inicialet V.C. Ai e ka qëlluar bashkëmoshatarin në krah dhe në dorë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mjediset e shkollës në kohën e pushimit të madh, kur mes dy nxënësve të klasës së tetë ka nisur një sherr për motive banale. Nxënësit e tjerë tregojnë se dy djemtë janë qëlluar fillimisht në ambientet e klasës me mjete të forta dhe me grushte. Më pas ata kanë dalë në oborr, ku 14-vjeçari V.C. nuk ka ngurruar t‘i ngulë thikën shokut të tij të klasës. Sipas dëshmive të nxënësve të tjerë, shkak i sherrit është bërë një sharje adresuar autorit. Kaq ka mjaftuar që i ofenduar dhe në gjaknxehtësi e sipër, i mituri të qëllojë mbi shokun e tij të klasës. Nxënësit e tjerë thonë se dy shokët ishin grindur edhe më parë, por jashtë territorit të shkollës. Policia që ka shkuar në vendin e ngjarjes ka bërë të ditur se 14-vjeçari V.C., thikën e mbante me vete në çantë. Ai ka deklaruar se e mbante për të qëruar mollët gjatë orarit të pushimit. Por, nga drejtoria e shkollës mohohet që 14-vjeçari ta ketë pasur thikën me vete në ambientet e shkollës. Drejtori i shkollës 9-vjeçare "Tre Dëshmorët", Rexhep Haxhi, deklaron se 14-vjeçari e ka marrë thikën në një dyqan, pasi ka dalë nga shkolla gjatë pushimit. "Pasi kanë dalë si gjithë fëmijët e tjerë nga shkolla na rezulton se nxënësi ka shkuar në një dyqan afër dhe ka kërkuar një thikë, pastaj është kthyer dhe ka plagosur shokun e tij të klasës. I dhamë ndihmën e parë nxënësit të plagosur dhe sinjalizuam menjëherë policinë", thotë drejtori Haxhi. Ndërkaq, babai i nxënësit të plagosur akuzon drejtorinë si fajtore. Plagosjen e të birit, Adrian Meçollari, e ka mësuar ndërsa ndodhej në fshat me shokët. Ai ka akuzuar direkt për papërgjegjshmëri dhe për mungesë sigurie drejtorinë e shkollës. "Nxënësit nuk duhet të lejohen të hyjnë në shkollë me thika. Ajo që i ndodhi djalit tim mund t‘i ndodhë kujtdo dhe ne se prindër nuk kemi sigurinë për jetën e fëmijëve kur i çojmë në shkollë", thotë i revoltuar Adrian Meçollari. Nga ana tjetër, ngjarja ka përhapur panik mes nxënësve dhe prindërve, të cilët kanë kërkuar më shumë siguri nga ana e shkollës dhe ndërhyrjen në kohë, kur ka raste të grindjes mes nxënësve. Për shkak të moshës së mitur, 14-vjeçari është marrë në pyetje dhe ndiqet në gjendje të lirë nga ana e policisë lokale.

J.Dhimitri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›