Zgjedhjet, ODIHR fillon "zbarkimin" e vëzhguesve
Më pak se dy muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ODIHR ka filluar "zbarkimin" e misionit të saj në Shqipëri. Burimet diplomatike sqaruan se tanimë ka ardhur pjesa teknike e misionit, thënë ndryshe përfaqësuesit që merren me logjistikën. Brenda pak ditësh do të mbërrijnë edhe vëzhguesit e tjerë afatgjatë, të cilët do të ndjekin të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Pak para ditës së votimit, do të mbërrijë edhe kontingjenti më i madh i vëzhguesve, ata që do të ndjekin vetëm procesin deri në shpalljen e rezultatit. Sipas raportit të nevojave të ODIHR-it, publikuar pak ditë më parë, zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit do të monitorohen nga 430 vëzhgues të kësaj organizate. Bashkërisht pritet që organizatat vendore të angazhojnë 2500 vëzhgues vendas, që do të mbështeten nga USAID. Delegacioni i raportimit të nevojave të OSBE/ODIHR-it, që vizitoi Shqipërinë në datat 16-19 mars 2009 publikoi konkluzionet për procesin elektoral në vendin tonë. Skuadra e ODIHR-it do të ketë 30 vëzhgues afatgjatë, të cilët do të lëvizin në Shqipëri për të parë përgatitjen e zgjedhjeve dhe 400 vëzhguesit e dytë që do monitorojnë vetëm ditën e votimit dhe numërimin e votave. Raportuesit thonë se disa forca politike kanë shprehur pakënaqësi për reduktimin e numrit të komisionerëve dhe mospërfaqësimin e tyre. Në raportin që publikoi ODIHR konstatonte se Kodi i ri Zgjedhor mund të ishte një mundësi që në zgjedhjet e ardhshme të plotësoheshin standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Por, thuhej në dokument, kjo mundësi mund të realizohet vetëm nëse përgatitjet për infrastrukturën dhe administrimin e zgjedhjeve do të bëhen brenda kohës së duhur. Një çështje kyçe konsiderohej ecuria e shpërndarjes dhe prodhimit të dokumenteve të reja të identitetit. "Ndërsa qeveria shprehet e bindur se të gjithë votuesit pa pasaportë do të pajisen me kartat e identitetit përpara zgjedhjeve, disa bashkëbisedues, në veçanti ata të opozitës dhe shoqërisë civile, shprehën dyshime se ky proces do të kryhet në kohë dhe disa kërkuan që kartat të ofrohen falas", thuhej në raport. Konsiderohej e paqartë nëse qytetarët shqiptarë janë të mirinformuar me mënyrën se si do të operojë procesi i rimbursimit, në të njëjtën kohë që disa përfaqësues të OSBE/ODHIR sugjerojnë se pretendimet për uljen e çmimit mund të ngadalësojnë edhe më tej procesin e aplikimit sikurse edhe tërheqjen e kartave të gatshme. "Shumë përfaqësues të OSBE/ODHIR shprehën shqetësimin nëse, për shkak të vonesave në fillimin e procesit dhe të progresit aktual, të gjithë votuesit do të mund të pajisen me karta identiteti përpara ditës së votimit", vijonte raporti.