E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Shërbimet turistike do të hapin vende të reja pune"

Kryeministri Sali Berisha nisi dje turin paraelektoral nga Saranda, zona elektorale e ish-rivalit të tij të dikurshëm, Fatos Nano. Duke çelur sezonin turistik për këtë verë, Kryeministri Berisha nuk ka nguruar të bëjë edhe premtime elektorale. "Ne çelim sot sezonin, në të cilin qindra e mijëra djem e vajza do të punësohen në sektorin e shërbimeve turistike. Ne çelim sezonin, në të cilin qindra e qindra miliona euro do të shpenzohen nga turistët në Sarandë dhe mbarë Shqipërinë", u shpreh Berisha. Sipas Kryeministrit, Shqipëria ka potenciale të mëdha zhvillimi por më i rëndësishmi është turizmi i saj. "E ka në Sarandë, në bregdet, Vlorë, Durrës, Velipojë, Shëngjin dhe në të gjitha zonat e tjera për të zhvilluar. Në vitin 2004, në Shqipëri kanë hyrë gjithsej gjatë 12 muajve 300 mijë vizitorë, kundrejt 2.7 milionë që kanë hyrë vitin e kaluar", u shpreh Berisha. Ai shtoi se, vetëm Saranda, në verën e kaluar, ia ka dalë të ketë turistë aq sa Shqipëria kishte gjatë gjithë vitit 2004. Kryeministri bëri me dije se këtë qershor do të përfundojë rruga e bregut, në të cilën turistët nga Llogoraja do të zbresin me lehtësi në Sarandë për të kaluar ditën dhe për të vizituar Butrintin. "Gjithashtu, po ecën me shpejtësi rruga Kardhiq-Delvinë. Ju jap fjalën se shumë shpejt do të fillojë boshti i Jugut që do ta sjellë Sarandën në një distancë shumë më të shkurtër me Tiranën. Saranda dhe Ksamili kanë të gjitha mundësitë të bëhen një nga qendrat më të fuqishme e të mëdha të turizmit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan e më gjerë", vijoi ai. Katër vjet më parë, tha Berisha, ne u zotuam se do të lëmë mbrapa ndërprerjet e energjisë elektrike, ndërsa vijmë sot këtu, pasi kemi mbajtur fjalën tonë. "Unë sërish ju them se nuk do të ketë kurrë ndërprerje, përderisa të ketë në tregun ballkanik energji në shitje", nënvizoi Berisha. Në kuadrin e premtimeve, shefi i qeverisë theksoi se janë dyfishuar pensionet në mandatin katërvjeçar të Partisë Demokratike. "Tani, ata që do të marrin pensionet në fshatin shqiptar do të marrin dy herë më shumë, sesa merrnin 4 vjet më parë. Kjo do të thotë se edhe 170 mijë qytetarë të vendit që jetonin nën 2 dollarë në ditë, pra, në varfëri, të dalin nga varfëria dhe u jap fjalën se qeveria ime do t‘i barazojë pensionet e tyre me pensionet e qytetit", tha ai. Kryeministri Berisha shtoi se në paga dhe pensione, qeveria ka tejkaluar në masën 30% vende shumë më të zhvilluara se Shqipëria, si Rumania dhe Bullgaria. "Ju jap fjalën se rritja e pagave dhe pensioneve tuaja është e do mbetet qëllim madhor i politikës sime", theksoi Berisha. Kryetari i PD-së premtoi se arsimi dhe shëndetësia do të jenë dy përparësitë më të mëdha të programit të ri të Partisë Demokratike për 2009-2013. "Qeveria është e përgatitur për një reformë të thellë në sistemin shëndetësor që do t‘ju garantojë juve shërbimet më të mira. Unë e kuptoj se nuk ka asnjë shërbim më të rëndësishëm, sesa shërbimi shëndetësor, por edhe kërkoj mirëkuptimin tuaj se reformat nuk mund të bëhen me infermierë që merrnin 15 mijë lekë dhe që bënin punën më të vështirë në vend, se duhet të ndryshojmë gjendjen e tyre pastaj të nisnim reformën e madhe të këtij sistemi. Sot, ata marrin mbi dyfish, mjekët paguhen mbi dyfish", insistoi Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›