E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: Zhvillim të barabartë për fshatin e qytetin

Kryetarja e grupit socialist, Valentina Leskaj, vijoi turin e saj me takime në Qarkun e Elbasanit në fshatin Përparim, ku prezantoi pjesë të programit që lidhen me varfërinë, certifikatat e pronësisë e deri te shërbimet shëndetësore. "Sot, ju jeni më të varfër se 4 vjet më parë", u është drejtuar Leskaj banorëve të fshatit Përparim. Sipas saj, duhet ndryshuar kjo qeveri, në mënyrë që gjendja të përmirësohet dhe gjithsecili të ndiejë pranë ndihmën e mjekut në qendrat shëndetësore, prodhimet bujqësore të gjejnë tregun e përshtatshëm, por gjithashtu, çdo banor ta ndiejë veten zot në tokën e tij. Kryetarja e grupit socialist kërkoi një bashkim të të gjithë banorëve, për të ndëshkuar më 28 qershor me votë këtë qeveri të korruptuar. "Shqipëria nuk mund të zhvillohet me dy pjesë. Vendi nuk mund të jetë i ndarë me një pjesë të zhvilluar që është qyteti dhe me një pjesë të pazhvilluar që është fshati. Një vend i BE-së nuk mund të jetë i ndarë përgjysmë, nuk mund të jetë ndryshe në qytet dhe ndryshe në fshat", deklaroi Leskaj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›