E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kërkesa e PS nuk ka mbështetje në ligj"

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, e konsideron kërkesën e Partisë Socialiste për të prodhuar fletët e votimit vetëm nga kompani të huaja si të pabazuar në ligj. Ristani shpjegoi për gazetën "Shqip" se KQZ ka ndjekur procedurat e tenderit të hapur për të përcaktuar firmën që do t‘i prodhojë fletët e votimit. Ndaj, sipas tij, nuk mund të ndalohet askush, qoftë firmë e huaj apo shqiptare që të marrë pjesë në konkurrim. Kërkesa e PS-së konsiston në prodhimin e fletëve jashtë vendit, çka kërkon që fituese e tenderit duhet të jetë një kompani e huaj. "Sa i përket kërkesës së PS-së ajo nuk është konform ligjit. Nëse ka kontestime, hajde t‘i bisedojmë, por nëse ka qëllime të tjera, ne do respektojmë ligjin", tha Ristani. Kreu i KQZ-së theksoi se ky institucion i ka hapur rrugë përcaktimit të kompanisë që do të prodhojë fletët e votimit qysh kur nisi punën disa muaj më parë. Duke qenë se koha në dispozicion mjaftonte për të ndjekur rrugët e tenderimit të hapur, u zgjodh kjo mënyrë, ndaj kushdo është i lirë që të konkurrojë. "Ne veprojmë institucionalisht. Procesi i prodhimit të fletëve të votimit bëhet përmes tenderit. Ne bëjmë një regjistër tenderi, të cilin e çojmë tek Agjencia e Prokurimeve Publike dhe vendoset për llojin e tenderit", sqaroi Ristani. Sipas tij, meqenëse me çështjen e prodhimit të fletëve të votimit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mor që në fillim sa nisi punë, pati kohë për zhvillimin e një tenderi të hapur. Sakaq, KQZ ka vendosur për kompaninë që do të sigurojë procesin e numërimit të votave përmes kamerave.

Sipas provave të deritanishme, dy monitorë të mëdhenj do të japin grafikisht rezultatet. Në monitorë të tjerë, anëtarët e KQZ-së dhe mediat e akredituara do të ndjekin drejtpërsëdrejti gjithë çka ndodh gjatë procesit të numërimit. Nuk do të ketë më informacione me faks, telefon, apo me gojë, informacion shpesh i ndryshuar apo edhe i fryrë, që do kohë të vërtetohet. Gjithçka do të jetë në video dhe në kohë reale.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›