E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mond Çekiçi”: Vrasjen e Ongarit e mësova në burg

01/02/2011  Miku i Lulzim Berishës dëshmon në procesin gjyqësor të Bandës së Durrësit

“Për vrasjen më ka informuar “Ben Qori” në burgun e Peqinit”

TIRANE-Edmond Koçi, ose siç njihet ndryshe me pseudonimin “Çekiçi” ka dëshmuar dje në procesin gjyqësor që zhvillohet kundër 16 të pandehurve të Bandës së Durrësit. Koçi ishte thirrur nga gjykata, pas kërkesës së avokatit Ilia Ilia që në këtë proces mbron interesat e të pandehurit Lulzim Berisha. Para togave të zeza dëshmitari Koçi është pyetur lidhur me vrasjen e shtetasit Eduart Ongarit, ngjarje kjo për të cilën dëshmitari ka pohuar se nuk dinte asnjë gjë, për shkak se ndodhej i izoluar në burgun e Peqinit. “Unë skam asnjë njohje me shtetasin Ongari madje dhe vrasjen e tij e kam mësuar nga shtetasi me pseudonimin “Bik Qori”, në periudhën kur ai është sjellë në burgun e Peqinit”,-është shprehur dëshmitari para togave të zeza. Dëshmia e Edmond Koçit është shoqëruar me debate të ashpra mes prokurorit Martini dhe avokatëve mbrojtës, pas disa pyetjeve sugjestionuese që janë bërë nga dy palët. Ndërkohë pas këtij dëshmitari në sallën e gjyqit është paraqitur dëshmitari tjetër Gëzim Haxhiu, i cili në seancën e djeshme u ka dhënë sqarime vetëm pyetjeve të prokurorit, pasi pyetjeve të avokatëve ai u ka dhënë përgjigje në seancën e kaluar. Dëshmia e tij para togave të zeza ka qenë fare e shkurtër dhe duke qenë se në gjykatë nuk ishin paraqitur dëshmitarë të tjerë, procesi gjyqësor ndaj 16 të pandehurve të Bandës së Durrësit është shtyrë. Dy dëshmitarët ishin thirrur për të dëshmuar lidhur me vrasjen e shtetasit Eduart Ongari në datën 5 korrik 1999. Lidhur me këtë vrasje Prokuroria për Krime të Rënda akuzon si autor shtetasin Lulzim Berisha dhe si bashkautor të penduarin e Bandës së Durrësit Adriatik Colin. Mirëpo lidhur me këtë ngjarje mbrojtja e Berishës, paraqiti para gjykatës një dëshmitar, i cili ka qenë prezent në momentin e vrasjes së Ongarit, i cili i ka pohuar togave të zeza se autori i vrasjes së Ongarit nuk ndodhet në qeli. Sipas dëshmitarit, autori i vrasjes ishte me flokë kaçurrela dhe se menjëherë pasi ka hapur zjarr është larguar me qetësi duke hipur në një motor nga ku më pas ka humbur dhe gjurmët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›