E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maks Mosli: Nuk ishte një orgji naziste

Maks Mosli nuk dëshiron që të hyjë në histori si një njeri shumë pervers, ndaj po mbron me fanatizëm jetën e tij private pas publikimit në internet të një videoje, ku ai bën orgji me 5 prostituta. Ndonëse përmbajtja e videos ka qenë shumë e rëndë, duke iu referuar edhe tematikës "naziste" të raportit të Moslit me prostitutat, ky i fundit nuk e sheh të nevojshme të japë dorëheqjen nga posti i tij. "Nëse do të më kishte ndaluar policia për tejkalim shpejtësie në një rrugë publike apo të më gjenin me nivel alkooli të lartë në timon, do të kisha dhënë menjëherë dorëheqjen. Por, materiali në fjalë është siguruar në mënyrë ilegale nga gazeta dhe i referohet një gjëje që e kam kryer privatisht. Bëhet fjalë për veprime krejtësisht ligjore, ndonëse disa personave nuk u pëlqejnë gjëra të tilla. Shumë persona, në dhomat e tyre të gjumit, zhvillojnë veprime apo kanë sjellje të cilat personat e tjerë i shohin si të turpshme. Por askush nuk ka kundërshtime, për sa kohë që një gjë e tillë mbetet në sferën private. Skandali erdhi pasi veprimet e mia u bënë të njohura për publikun e gjerë. Kjo nuk varej nga unë, pasi bëra të pamundurën që gjithçka të mbetej private, por isha viktimë e një konspiracioni të shëmtuar. Nuk ishte një orgji naziste, kjo është një shpifje. Nuk mendoj se kjo çështje duhet të kushtëzojë punën time në lidhje me sigurinë e botës së motorëve, ambientit apo sportit. Mendoj se në shekullin XXI, të rriturit nuk shqetësohen për sjelljet seksuale të një individi, për sa kohë që gjithçka është legale dhe ky është qëndrimi që do të mbaj në Asamble", shkruhet në letrën që Maks Mosli i ka drejtuar Federatës Gjermane të Automobilizmit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›