Maks Mosli: Nuk më do FOTA? Atëherë unë do të rikandidoj
Maks Mosli, presidenti i FIA-s, është gati të rikandidohet në tetor, edhe pse në të kaluarën kishte lënë të kuptohej se mund të tërhiqej. Këtë e ka sqaruar vetë Mosli në një letër drejtuar anëtarëve të FIA-s dhe të publikuar në edicionin "online" të revistës "Autosport". "Në javët e fundit është parë gjithnjë e më qartë se, sipas objektivave të skuadrave rebele, do të duhej të dorëhiqesha nga presidenca e FIA-s. Vitin e kaluar më keni garantuar besimin tuaj dhe, sikurse ju kam shkruar më 16 maj 2008, nuk ishte synimi im rikandidimi në tetor të këtij viti", vazhdon Mosli, duke iu drejtuar anëtarëve të federatës. "Megjithatë, krejt në kundërshtim me mandatin që ju më keni dhënë, skuadrat më kanë sulmuar, gjë që më bën të reflektoj nëse vendimi im për të mos u rikandiduar do të jetë apo jo më i drejti. U mbetet anëtarëve të FIA-s, vetëm atyre, të zgjedhin në mënyrë demokratike lidershipin. Nuk i takon industrisë automobilistike dhe aq më pak personave, që industria zgjedh për të menaxhuar skuadrat e Formula 1". Aksioni i FOTA-s, shkruan Mosli në letër, jo vetëm është "një sulm i drejtpërdrejtë ndaj FIA-s dhe rregullores së Botërorit të F.1, por, më keq akoma, një kritikë e pajustifikueshme dhe një sfidë direkte ndaj strukturave të brendshme dhe misionit të FIA-s. Asnjë president i FIA-s nuk mund të lejojë, që kjo të ndodhë pa replika. Po përgatisim aksionin ligjor, nëse do të jetë i nevojshëm, për të mbrojtur të drejtat e FIA-s në kampionatet e saj dhe për të ndëshkuar çdo skuadër rebele të F.1 me mekanizmat ligjorë. Elementi katalizator i zhvillimeve aktuale ka qenë tentativa e FIA-s për të reduktuar kostot në F.1. Ulja e shpenzimeve është esenciale për mbijetesën e skuadrave të pavarura. Pa këto të fundit, Botërori do të varej ekskluzivisht nga arkat e konstruktorëve, të cilat shpeshherë nuk janë të qëndrueshme". Sipas presidentit "është e çuditshme që, në momentin në të cilin të pesë shtëpitë e mëdha të konstruktorëve janë në vështirësi financiare dhe u besohen parave të kontribuuesve, skuadrat e tyre kërcënojnë me krijimin e një Botërori alternativ për të shmangur reduktimin e kostove të tyre. Mbetet për t‘u përcaktuar ende nëse edhe drejtuesit e mëdhenj të kompanive kanë të njëjtin mendim në lidhje me reduktimet e shpenzimeve të tepërta në Formula 1".