E Diel, 1 Nëntor 2026

"Big"-ët kthehen nëse Mosli largohet nga FIA

Konflikti ndërmjet Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit dhe konstruktorëve në F.1 mund të ketë një zgjidhje. FOTA (Shoqata e Skuadrave të Formula 1) do të heqë dorë nga projekti për të organizuar një Botëror alternativ, nëse Maks Mosli largohet në tetor nga posti i tij si president i FIA-s. Ky është skenari i paraqitur nga e përditshmja "The Times", në prag të mbledhjes së Këshillit Botëror të FIA-s, e cila do të zhvillohet sot në Paris. Mendohet se aty Mosli do të sqarojë qëllimet e tij dhe nuk përjashtohet fakti që ai të marrë në konsideratë hipotezën që të mos kandidojë në zgjedhjet e ardhshme për kreun e federatës. Duket se një rol të rëndësishëm do të luajë edhe pozicioni që do të ketë presidenti i Ferrarit, Luka Kordero di Montexemolo, i cili udhëheq "rebelët" kundër ndryshimeve në rregullore për Botërorin 2010 dhe kufizimit të buxhetit sezonal. "Nëse Mosli do të bëhet viktimë e sulmit personal të njëshit të ‘kokëkuqes‘, ose do të përballet me akuza ndaj FIA-s, lexohej në gazetë, ai do të mendojë se zgjidhja e vetme është të qëndrojë në drejtimin e federatës". Ndërkohë, numri 1 i FIA-s duhet të përballet edhe me deklaratat e Berni Ekleston, personi që zotëron të drejtat komerciale të garës. "Mendoj se nëse flasim për një periudhë afatgjatë, ndoshta ai ka të drejtë", tha patroni i F.1 duke analizuar punën e Moslit. "Nëse skuadrat ‘rebele‘ largohen dhe organizojnë një kampionat më vete, kjo do të vuloste shkatërrimin për Formula 1".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›