Berisha: Mandati i ri, nis me liberalizimin e vizave
Shqiptarët do të lëvizin pa viza në vendet “Shengen” që në fillim të mandatit të ri të qeverisë “Berisha”, kurse Vlora do të shndërrohet në një metropol evropian të Shqipërisë. Ndërtimi i një aeroporti modern dhe parku industrial, një nga më të mëdhenjtë në Mesdhe, janë dy projektet e qeverisë së PD-së për Vlorën. Me sigurinë për realizimin e tyre brenda një kohe të shpejtë, Kryeministri Sali Berisha udhëtoi dje drejt Vlorës, në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”. Gjatë një takimi me të rinjtë vlonjatë, ai paraqiti sfidat e reja të mandatit të ri qeverisës në mënyrë të veçantë, ato që kanë të bëjnë me të ardhmen e rinisë shqiptare. Kryeministri Berisha premtoi se "liberalizimi i vizave do të jetë objektivi kryesor për t'u arritur që në fillim të mandatit të dytë qeverisës". Kreu i ekzekutivit foli për dy investime të mëdha: aeroportin e ri të qytetit dhe fillimin e parkut industrial. Sipas Berishës, Vlora është tashmë në rrugën e pakthyeshme drejt zhvillimit dhe modernizimit, për një jetë më të mirë për qytetarët e saj. “Vlora është sot epiqendër turistike kryesore e vendit dhe një nga qendrat universitare më të fuqishme. Në këtë qytet do të ndërtohet parku industrial. Vlora ka burimin e vet energjitik, por do të ketë edhe njërin prej porteve me të mëdha të Mesdheut. Në këtë port do të punësohen jo më pak se 50 mijë qytetarë", - theksoi z. Berisha. Kryeministri siguroi të rinjtë e Vlorës se qyteti i tyre do të ketë aeroportin e saj, prej të cilit do të ndihen si qytetarë të metropolit të vërtetë evropian. “Ne, - tha ai, - do të punojmë së bashku për mandatin tonë të dytë, për mandatin e horizonteve të reja, të ëndrrave të shndërruara në realitet, mandatin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë”. Mes entuziazmit të rinisë vlonjate, Kryeministri vuri në dukje dy ngjarjet shumë të rëndësishme për Vlorën dhe mbarë Shqipërinë, siç është anëtarësimi me të drejta të plota në NATO dhe paraqitja e kërkesës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Duke u ndalur te arritjet e kësaj qeverie gjatë mandatit të parë, 2005-2009, Kryeministri bëri të qartë se "në katër vite është trefishuar numri i studentëve nga 52 mijë në 150 mijë dhe se në katër vitet që vijnë, ky numër do të arrijë në 160 mijë studentë". Sipas Berishës, diplomat e tyre janë vektorë të zhvillimit të Shqipërisë dhe qeveria do të bëjë çdo përpjekje që ata të shkollohen në kushtet më të mira. Kryeministri garantoi se gjatë mandatit tjetër, do ta trefishojë buxhetin për arsimin. Kryeministri evidentoi investimet e mëdha në infrastrukturën e mbarë vendit, duke pohuar se Shqipëria është sot kantier ndërtimi që do të ndikojë tek punësimi i shqiptarëve. "Ne kishim ëndërr që kombi të qëndronte si një. Hapja e tunelit të Kalimashit, është tuneli që bashkon shqiptarët. Është tuneli që sjell Prishtinën në Vlorë, në Tiranë, në Durrës, që sjell Kosovën në brigjet tona", - theksoi z. Berisha. Me sigurinë se do të bëjë gjithçka për Vlorën dhe qytetarët shqiptarë në të gjithë vendin përgjatë mandatit tjetër qeverisës, Kryeministri iu drejtua të rinjve: “Unë e di se për ju, pas familjes, shkollës, ndjesia evropiane është ndjesia kryesore. Ju do të lëvizni si të gjithë të rinjtë e Evropës, ndër më të bukurit, ndër më të diturit. Liberalizimi i vizave brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë është objektivi ynë, është premtimi ynë dhe ne do ta mbajmë atë”. Kryeministri veçoi punën e bërë gjatë këtij katërvjeçari që do të mbyllet më 28 qershor, teksa pohoi se Shqipëria është sot kantier ndërtimi, nga Konispoli në Valbonë. Sipas tij, nga Morina e Kukësit, në Qafë-Plloçë, në Levan, në Vjosë e kudo. Vlora së shpejti do të nisë punimet për njërin prej porteve më të mëdha të Mesdheut, port i cili punëson jo më pak se 50 mijë qytetarë të Vlorës dhe të mbarë Shqipërisë. “Në këto vite janë firmosur me dhjetëra kontrata të cilat punësojnë dhjetëra e mijëra punëtorë, specialistë, ekspertë. Ndaj dhe ne do të punojmë me përkushtim, do të bëjmë çdo gjë për punësimin tuaj derisa dhe një i ri i vetëm të ketë nevojë për punë në Shqipëri”, - u shpreh z. Berisha.
Shqipëria në BE, procedura nis me përkthimin e legjislacionit
Pas dorëzimit të kërkesës për vend anëtar në Bashkimin Evropian, Shqipërisë i duhet të përkthejë legjislacionin në anglisht për nisjen e shqyrtimit të kërkesës nga KE-ja. Sipas drejtorit politik të Komisionit Evropian, Tomas van Hondel, vetëm në këtë mënyrë komisioni do të jetë i aftë të vlerësojë progresin dhe për rrjedhojë, kërkesën. “Pas aplikimit të Shqipërisë në BE, hapi i radhës është që Komisioni të përgatisë një vlerësimin për këtë kërkesë. Por që Komisioni të jetë i aftë të nisë shqyrtimin, duhet që legjislacioni shqiptar të përkthehet në anglisht. Vetëm kështu mund të bëjmë vlerësimin konkret të progresit që keni bërë deri tani”, - u shpreh Van Hondel.