E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mal i Zi,Topi: Kosova të përfshihet në nisma rajonale

Gjatë takimit me homologun e tij Vujanovic, Presidenti Topi ka vënë në dukje domosdoshmërinë e përfshirjes së shtetit të ri të Kosovës në forume dhe nisma rajonale. Kjo sipas kreut të shtetit do të pasqyronte realitetin e ri gjeo-politik të rajonit. 

ZAGREB- Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Mal të Zi, për të marrë pjesë në punimet e Forumit Rajonal për Korridoret Kulturorë në Evropën Juglindore, Presidenti Topi takoi presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanovic. Presidenti Topi vuri edhe njëherë në dukje domosdoshmërinë e përfshirjes së shtetit të ri të Kosovës në forume dhe nisma rajonale. Kjo sipas kreut të shtetit shqiptar do të pasqyronte realitetin e ri gjeo-politik të rajonit tonë dhe do t’i kontribuonte thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dhe rritjes së qëndrueshmërisë afatgjatë.
Reagimi i presidentit shqiptar vjen menjëherë pas mohimit të pjesëmarrjes së Kosovës në punimet e këtij forumi. Topi dhe Vujanovic diskutuan edhe për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe rritjen e bashkëpunimit në të ardhmen.
Gjatë qëndrimit në Mal të Zi, Topi takoi gjithashtu edhe kryetarin e rradhës së Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Nebojsha Radmanoviç. Të dy homologët ndanë mendimin që marrëdhëniet dypalëshe duhet të zgjerohen e të thellohen edhe më tej sidomos përsa u përket shkëmbimeve ekonomike-tregtare dhe lëvizjes së lirë të njerëzve. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›