E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni turistik në Sarandë shton vjedhjet në qytet

Sezoni turistik shton vjedhjet në qytetin e Sarandës. Qytetarët, të ndodhur përballë kësaj situate dhe të pasigurt janë mjaftuar me denoncimin e ngjarjes dhe dëmit të shkaktuar në organet e specializuara të policisë kriminale. Nisur nga rezultatet dhe shifrat e paraqitura në analizën tre mujore të policisë, zbulueshmëria e këtyre vjedhjeve ka qenë në shifrat më të ulëta të goditjes, nga forcat e policisë. Kështu ka ndodhur edhe në vjedhjet e natës së martë. Policia është mjaftuar vetëm me regjistrimin e rasteve nga denoncuesit e dëmtuar, duke mbetur pa autor ngjarja. Kanë qenë plotë tre raste, të ndodhur pothuajse në të katër lagjet e qytetit. Në qendër të qytetit, në katin e parë të 18 katëshit, është vjedhur me thyerje një dyqan optik, i cili shërben edhe si klinikë për vizita të pacientëve me shikim të kufizuar. Pronari i tij, Astrit Xhavari tregon se veç një shume të hollash nga vitrina e dyqanit janë marre edhe një numër i konsideruar syzesh optike e skelete syzesh të shtrenjta. Më interesante ka qenë skena e vjedhjes së dy motoçikletave pronë e dy turistëve italianë, të cilët kanë mbërritur dy net më parë në Sarandë për të shijuar bregdetin shqiptar të rivierës me motorët e tyre. Motorët i kanë parkuar në hyrje të hotelit, i cili ruhet me roje. Në mëngjes, pronari i hotelit Llambro Nesturi i ka kërkuar rojës dy motorët e klientëve, por roja nuk dinte ti përgjigjej, pasi ishin grabitur. Rasti i tretë i përket një të veje, të cilës grabitësit i kanë hyrë në shtëpi dhe i kanë grabitur bizhuteri dhe sende me vlerë. Edhe pse kjo e fundit ka denoncuar, pothuajse i ka humbur shpresat, që sendet e grabitura ti kthehen apo autori të kapet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›