E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tharja e rezervuarit të Shardushkut, bordi i kullimit refuzon dëmshpërblimin

Tharja e rezervuarit të Shardushkut në komunën e Kryevidhit dy muaj më parë, bëri që bashkë me humbjen e ujit të humbasë edhe qindra tonë peshk. Petrit Guga, kultivues peshku tashmë ka falimentuar, pasi shumë vite punë për rritjen dhe kultivimin e peshkut në këtë rezervuar kanë marrë fund. Ai është prind i katër fëmijëve, dy prej të cilëve vuajnë nga sëmundja e talasemisë, por në kushtet në të cilat ai gjendet sot, jeta e tij bëhet gjithnjë e më e vështirë. Petriti ishte i pari që njoftoi para dy muajsh rrezikun që i kanosej popullatës së fshatrave që gjenden nën nivelin e rezervuarit, megjithëse reagimi i strukturave ishte i vonuar.Ai njoftoi i pari për rrezikun që i kanosej digës, por ndërhyrja në momentin e fundit bëri që bordi i kullimit të Kavajës të hapte një kanal shumë te thellë në mes të digës duke shkaktuar ikjen e të gjithë ujit dhe tharjen e gjolit. Bashkë me ujin iku dhe peshku që Petrit Guga kultivonte në këtë rezervuar. Ai shprehet se ka pasur rreth 155 mijë peshq të llojeve ballgjer, omur dhe krap. Kjo sasi peshku llogaritet në të paktën 200 ton, i humbur nëpër ara gjatë ditës që u hap kanali për shkarkimin e ujit nga rezervuari. Petriti shprehet se aktivitetin që ka patur për rritjen e peshkut e kishte me licencë nga shoqata e ujerave, ndërkohë që një javë para hapjes së liqenit ai kishte blerë një sasi tjetër të rasatit të peshkut me vlerë 300 mijë lekë. Njoftimin për fryrjen e liqenit nga reshjet e dendura të shiut, Petriti e ka dhënë fillimisht tek kryetari i shoqatës së ujërave Ferik Kaja dhe tek bordi i kullimit në Kavajë, por specialistët e ujerave dhe bordit të kullimit erdhën pas 4 ditësh nga dita e njoftimit. Menjëherë pas shkarkimit të liqenit, drejtues të bordit të kullimit dhe shoqatës së ujërave bënë fajtor Petrit Gugën për këtë ngjarje, në një kohë që ai nuk ishte përgjegjës për ruajtjen e digës. Nga ana tjetër ai ishte i pari njoftoi autoritetet për të marrë masa, sepse nga niveli në rritje i ujit, diga mund të çahej dhe të përmbyteshin tre fshatra. Përveç dëmit personal që iu shkaktua nga falimentimi i biznesit Petrit Gugës dhe dëmit ekologjik nga tharja e liqenit, tashmë tre fshatra nuk do të kenë ujë për vaditjen e tokave. Fshatrat Spanesh, Shardushk dhe Stërbeg e merrnin nga ky liqen ujin për vaditje, i cili menaxhohej nga shoqata e përdoruesve të ujit. Petriti shprehet se në qoftë se do të kishte ndihmë në kohën e duhur nga shoqata dhe bordi i kullimit, liqeni nuk do të ishte tharë. Nga ana tjetër hapja e një kanali të thellë për shkarkimin e ujit në pikën e tij minimale ishte gabim, sepse kjo gjë solli shkarkimin e të gjithë ujit. Sasia e peshkut që rritej në liqen ishte një bazë e sigurt për popullatën e fshatrave përreth, pasi ai tregtohej me një çmim të arsyeshëm. Ditën që u hap kanali dhe u shkarkua i gjithë uji, kultivuesi i peshkut Petrit Guga nuk arriti të kapte as 5 për qind të peshkut që gjendej në liqen. Pjesa tjetër doli bashkë me ujin duke humbur nëpër ara. Në lidhje me shkaktarët e kësaj ngjarje Petrit Guga bën fajtor drejtorin e bordit të kullimit në Kavajë, Izet Greca. Petriti paguante detyrimet e tij rregullisht kundrejt shoqatës së ujit, ndërkohë që nuk dihet me siguri se ku kanë shkuar të ardhurat për ujin që përdorej për vaditje dhe në çmasë janë arkëtuar ato nga fshatarët që vadisnin tokat e tyre në verë. Petriti tregon se pas ngjarjes së shkarkimit të ujit nga liqeni dhe tharjes së tij, askush nuk është kujtuar për të. Ai ndihet i braktisur nga pushteti lokal, nga komuna dhe drejtues të lartë të zgjedhur nga populli. Duke qenë se nuk kishte më asnjë shpresë, Petriti drejtohet tek kryetari i komunës së Kryevidhit Arben Ajdini me shpresë se duke qenë edhe anëtar i këshillit të komunës, diçka mund të bëhej për të. Nga kryetari i komunës, gjatë takimit me të, Ajdini i ka ofruar vetëm një shumë 20-30 mijë lekë të rinj duke u shprehur se ty të ra disfata, por përgjegjës nuk jam unë, por Izet Greca. Nuk kam mundësi për të dhënë më shumë se 300 mijë lekë. Aktiviteti i tij tashmë ka marrë fund, ndërsa mbështetja që duhej të jepej për të për shkak të një fatkeqësie natyrore të paparashikuar, mungoi nga çdo anë. Edhe kërkesat që janë bërë tek bordi i kullimit, nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Zyrtarët e ministrisë së Bujqësisë nuk janë ndier më qysh nga ngjarja e dy muajve më parë, kur të gjithë  e mbajnë mend se pranë rezervuarit zbarkoi i gjithë shteti duke rrahur gjoksin më pas për zgjidhjen e shpejtë të problemit, zgjidhje e cila tashmë shihet qartë se si ka përfunduar. Zgjidhja që ofruan këta zyrtarë ishte tharja e liqenit, rrënimi i biznesit të një personi që ka shpenzuar shumë vite mund dhe mbetja pa ujë e tre fshatrave të komunës Kryevidh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›