Elbasan, i moshuari gjen vdekjen nga bualli
Një i moshuar ka humbur jetën nga bualli, teksa i jepte jonxhë për ta ushqyer. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, të natës së martë në fshatin Mlizë të komunës së Shushicës, rreth 15 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Sipas burimeve zyrtare të policisë bëhet e ditur se është dërguar nga familjarët e tij 73 vjeçari Mërkur Kuqa në spitalin kirurgjik të Elbasanit në gjendje të rëndë shëndetësore.
Por ai ka vdekur pak metra larg para se të mbërrinte në spital.Sipas konstatimit të grupit hetimor, si dhe nga deklarimet e të afërmeve të tij, në oborrin e banesës, 73 vjeçari Kuqa është goditur disa herë nga bualli duke marrë plagë të rënda në pjesët e ndryshme të trupit e të kokës dhe për pasojë ka gjetur vdekjen gjate rrugës për në spital. Sidoqoftë policia konfirmon se do të punohet për të përcaktuar saktë shkakun e vdekjes.