Elbasan, merr shtëpinë me qira, i shet pajisjet
Jetonte me qira, por ka shitur të gjitha pajisjet shtëpiake të pronarit të shtëpisë. Për këtë shkak, sipas burimeve zyrtare të policisë, rreth orës 16:30 minuta të ditës së djeshme nga Seksioni Kundër Krimeve ndaj Pronës u bë ndalimi i 24 vjeçarit Florenc Hida, banues në lagjen Vullnetari të qytetit të Elbasanit.
Të njëjtat burime saktësojnë se ndalimi i tij u bë, pasi ky shtetas në mënyrë sistematike gjatë një periudhe tremujore, ka vjedhur e ka shitur të gjitha orenditë shtëpiake, të banesës së marrë me qira në pronësi të 54 vjeçares Bukurije Çarçia, që aktualisht është emigrante jashtë vendit. Sipas specialistëve, vlera e përllogaritur e dëmit shkon në rreth dy milion lekë. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme, ku 24 vjeçari akuzohet për veprën penale të Vjedhjes.