Shkodër, i vjedhin çantën, viktima shndërrohet në polic
Viktima u shpëton hajdutëve. Një 49 vjeçar ka mundur të shpëtojë çantën e tij me lekë, pasi ia kishin vjedhur dy hajdutë. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në qytetin e Shkodrës. Rreth orës 13:30 në rrugën Parrucë- Xhabije të qytetit të Shkodrës, 49 vjeçari Fran Ejlli, banues në fshatin Beltojë të komunës Berdicë në Shkodër ka qenë duke lëvizur me mjetin e tij tip Benz me targë SH 4175 D, nga rruga e lagjes "Salo Halili", në atë të lagjes "Manush Alimani", për të vijuar pastaj në dalje të qytetit drejt Beltojës.
Në kthesën ku ndahen dy lagjet ai ka parkuar automjetin dhe ka dalë prej tij për të hyrë në një dyqan vetëm 4 m më tej , ku do blinte bukën. Në këtë moment, dy të rinj me një motoçikletë pa targa, janë afruar pranë mjetit që ishte i ndezur, kanë hapur derën e prapme të tij dhe kanë marrë aty një çantë, në të cilën 49 vjeçari kishte lekë. Veprimet e tyre janë parë nga Fran Ejlli që po blinte në dyqanin që nga mjeti e ndante vetëm gjerësia e trotuarit dhe ka reaguar menjëherë. Dy të rinjtë me motoçikletë dhe me çantën e grabitur kanë marrë të largohen, por drejtuesi i mjetit i ka ndjekur me shpejtësi dhe pas 50 metrash më tej, afër vendqëndrimit të furgonëve të linjës së Velipojës ka mundur ti ndeshë me mjet dy personat me motoçikletë. Nga përplasja motoçikleta me dy të rinjtë është rrëzuar dhe këta kanë lëshuar çantën duke e lënë në rrugë bashkë me motoçikletën, e duke u larguar me vrap. Skena është parë nga mjaft qytetarë, pasi vendi ku ka ndodhur ngjarja ka mjaft lëvizje mjetesh në një krah dhe njerëzish. Policia ka bërë rrethimin e vendit të ngjarjes dhe ka marrë dëshmitë e 49 vjeçarit dhe të personave të tjerë që kanë parë ngjarjen. Është verifikuar çanta që është gjetur e hedhur në tokë pranë motorit dhe pronari i saj Fran Ejlli ka deklaruar se paratë që ndodheshin aty nuk janë prekur .Është bërë përshkrimi i paraqitjes së jashtme të dy autorëve të grabitjes dhe po punohet për identifikimin kapjen e tyre.