Malaj: Kujdes borxhet e këqija

Ish ministri i Financave: Shkaku që një pjesë e vendeve të eurozonës janë në krizë
Ish ministri i Financave, Arben Malaj thotë se vendet që sot janë në krizë, një pjesë e tyre kanë ardhur për shkak se është nënvlerësuar kriza e borxheve të këqija. Sipas tij, parandalimi i këtij fenomeni në ekonominë shqiptare do bënte të mundur shmangien e rrisqeve.
“Po të shihni vendet që sot janë në krizë, një pjesë e tyre kanë ardhur për shkak se është nënvlerësuar kriza e borxheve të këqija. Jo vetëm e borxhit publik, por edhe e borxhit që privatët kanë krijuar me njëri-tjetrin, apo që privatët dhe kompanitë kanë krijuar me sistemin bankar të vendit të tyre. Aty ku rritja ekonomike është mbështetur te rritja e borxhit të qytetarëve të saj apo kompanive të saj, falimentimi ka qenë i pashmangshëm”, tha Malaj.
Por si mund të administrohet kjo situatë? Për ish-kreun e Financave fillimisht zgjidhja kalon nga buxheti dhe më pas kërkon edhe përfshirjen e bankave.
“Në qoftë se nuk ndërpriten në pikën e nisjes, që është buxheti i shtetit dhe në qoftë se nuk bëhet një analizë e plotë edhe në sektorin bankar të vendit, se si çlirohet biznesi nga kostoja e rëndë e kredive dhe nga mos-ofrimi i një opsioni për ristrukturimin e kredive, duke mbledhur kreditë e këqija, por duke mos bllokuar dhënien e kredisë, atëherë të gjitha së bashku japin një mundësi profesionale, për ta zbutur problemin fillimisht dhe pastaj dhe për ta zgjidhur përfundimisht”, tha Malaj.
Malaj thotë se zinxhiri i borxheve të këqija, që është krijuar në ekonomi rrezikon të përkeqësohet.
“Është një shqetësim real dhe do të vijë në rritje. Kjo vjen edhe nga analiza që është bërë për borxhet e këqija në vende të tjera”, tha Malaj.