E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Politika e vjetër solli vetëm dështime

 

Kryetari socialist, Edi Rama, ka vijuar takimet e tij me Vullnetarët e Bashkimit të ri në qytetin e Gjirokastrës dhe Sarandës. Nga zona elektorale nr.100, nga ku ka dalë deputet në 2005-ën paraardhësi i tij, Fatos Nano, kreu socialist bëri thirrje për ndarje nga politika e vjetër, e cila ka dështuar në këto 18 vjet.
“Kjo politikë e vjetër që jeton me dështimet që i shkakton vetë, duhet të marrë fund dhe ne duhet të konkurrojmë se kush i bën gjërat më mirë në shërbim të njerëzve, kush mendon më mirë e punon më mirë për rrugëzgjidhjen e problemeve të vendit, kush ushqen më shumë shpresë e besim te Shqipëria e te njerëzit dhe jo kush bllokon, pengon e shan më shumë tjetrin, duke nxitur mllefin e përçarjen mes njerëzve dhe duke vonuar vendin në rrugën e krijimit të mirëqenies e të bashkimit me Evropën”, tha Rama.
Duke folur për zgjedhjet e 28 qershorit, kreu socialist i tha të pranishmëve në takim se fitorja e tyre do të jetë jo një fitore e tij personale. Rama premtoi se me qeverinë e re të 28 qershorit do të ngrihet një shtet funksional e serioz në shërbim të të gjithëve. “Kjo fushatë është e juaja, e çdo shqiptari dhe shqiptareje që do të ndahet me të shkuarën dhe me shëmbëlltyrat e të shkuarës në politikë, pavarësisht flamujve që tundin krahëve ku shfaqen. Njerëzve nuk iu intereson pushteti, por rezultatet e qeverisjes. Në emër të së majtës e të së djathtës pushteti është ndërruar disa herë, kurse Shqipëria është përplasur majtas e djathtas pa mundur të gjejë ekuilibër e qetësi mbi themelet e një shteti serioz e funksional në shërbim të të gjithëve, që ende na mungon”, tha Rama. Kreu socialist e cilësoi fitoren që shqiptarët presin në 28 qershor si fitoren e bashkimit të ri, e qytetarëve që janë lodhur nga balta e mllefi dhe duan të shohin rezultate të prekshme në drejtim të mirëqenies së tyre dhe familjeve të tyre. Rama u ndal dhe në situatën e rëndë ekonomike duke u shprehur se, “ju nuk arrini dot fundin e muajit, ndërsa paradoksalisht nga qeveria dëgjojmë rritje të rrogave apo pensioneve”. Në këto takime kreu socialist shoqërohej nga deputetët e zonës Gramoz Ruçi, Vangjel Tavo, Stefan Çipa.                                                    sh.d.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›