Kodheli: Meta akuzon si Berisha. Xhixho: PS t’i bashkohet LSI në miting
PS dhe LSI edhe dje kanë shkëmbyer në distancë replika mes tyre në lidhje me qëndrimet që mbajnë përballë qeverisë dhe maxhorancës së djathtë. Pas fjalës së Ilir Metës në mbledhjen e KDK-së së LSI-së, sipas të cilit përfaqësues të lidershipit të PS-së blejnë me leje ndërtimi dhe para kesh përfaqësuesit e partisë që ai drejton, ka reaguar selia rozë përmes zëdhënëses së kryesisë, Mimi Kodheli. Sipas saj, kreu i LSI-së po i bën opozitë Partisë Socialiste njëlloj si Sali Berisha. “Ilir Meta është kthyer në ministër i Sali Berishës, që merret me opozitën. Ai bën sikur kërkon largimin e Berishës, por në fakt mes Berishës e bashkimit të ri opozitar, ai ka zgjedhur Berishën. Ilir Meta dhe Sali Berisha janë dy anët e të njëjtës medalje të politikës së vjetër të baltës e mllefit. Të votosh për Metën do të thotë të zgjasësh dhe 4 vjet sundimin e Berishës. Ja pse ata që duan ndryshimin e madh ikin nga oborri i partisë private të Ilirit e Monikës dhe shtojnë fuqinë e ndryshimit”, tha Kodheli. Këtij reagimi të zëdhënëses së kryesisë së PS-së i është përgjigjur nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho. “Ftoj sot të gjithë qytetarët shqiptarë, të gjithë opozitarët e vërtetë, si dhe znj.Mimi, nëse e ndjen që është e tillë, që të bëhet pjesë e fushatës tonë me moton ‘Berisha Ik’, në datën 15 mars në sheshin ‘Nënë Tereza’”, tha Xhixho. Nënkryetarja e LSI-së i bëri apel Kodhelit dhe Ramës, “që të lënë retorikat boshe dhe deklaratat bajate dhe të heqin dorë nga politika e re e pazareve dhe blerjeve me leje ndërtimi”. “Qytetarët shqiptarë nuk kanë nevojë për një rrokadë brenda KASTES e kupolës mafioze politike, të përfaqësuar nga Rama dhe Berisha, të cilët janë lidhur nëpërmjet shtyllës kurrizore të korrupsionit si dy vëllezër siamezë. Qytetarët shqiptarë kërkojnë ndryshimin e vërtetë dhe zgjidhjen e problemeve që ato i shqetësojnë, si varfëria, papunësia dhe kriza ekonomike që ka kapluar vendin”, tha Xhixho.