E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha numëron si Rama:I kanë mbetur edhe 132 ditë

 

OERD ULQINI

Kur kanë mbetur edhe katër muaj nga zgjedhjet e 28 qershorit, Kryeministri Berisha nis numërimin mbrapsht të ditëve të rivalit të tij.Duke shfrytëzuar inaugurimin e nisjes së punimeve për zgjerimin e rrugës Plepa-Rrogozhinë, kreu i qeverisë ka deklaruar se Edi Ramës i kanë ngelur edhe 132 ditë për t’u bërë, siç e quajti ai, kryetari i partisë së Bashkisë së Tiranës. “Përballë është kryetari i Partisë Socialiste, që i kanë mbetur edhe 132 ditë për t’u bërë kryetari i Partisë së Bashkisë. Por edhe aty do ta ketë të vështirë, sepse buxhetin s’po e kalon dot, sepse siç po ia quajnë mediat ka hartuar koço-buxhet, mirëpo qytetarët duan buxhet për qytetarët dhe jo për kryetarin e Bashkisë”, deklaroi kreu i qeverisë. Duke u ndalur te mandati i dytë, Kryeministri Berisha tha se ai do të fokusohet përveç të tjerash te rritja e rrogave dhe pensioneve. Sipas tij, qytetarët përpara se të hedhin votën do të bëjnë diferencën mes rrogave dhe pensioneve që merrnin në vitin 2005 dhe ato që përfitojnë tani. Në të njëjtën kohë ai shtoi se kthimi majtas është kthim mbrapa për Shqipërinë. “Unë shpalla këtu disa nga përparësitë, të tjerat janë në përpunim dhe të gatshme, por biem dakord që kthimi majtas është kthim prapa. Shikoni atë copë autostradë që kanë ndërtuar Vorë-Durrës, se si është bërë tërë arna. Kthimi majtas është kthim prapa. Le të pyesin veten mësuesit shqiptarë sa merrnin në 2005-ën e sa marrin tani dhe do marrin më 1 maj të këtij viti. Kthimi majtas është kthim prapa. Le të pyesin veten pensionistët shqiptarë sa merrnin në 2005 dhe sa marrin tani”, vijoi më tej kreu i qeverisë. Për herë të parë nga qyteti i Durrësit, Kryeministri Berisha ka premtuar se reforma në shëndetësi do të jetë prioritet i mandatit të dytë qeverisës. Dikasteri që ka njohur tre ministra në këto katër vjet të drejtimit nga koalicioni i djathtë, sipas kryeministrit, ka nisur tashmë reformën, e cila do të vazhdojë më tej me rritjen e pagave të mjekëve dhe infermierëve. “Mandati i dytë i qeverisë sime do të përqendrohet tërësisht në një reformë të thellë shëndetësore, e cila ka nisur këtë vit. Unë ju garantoj se qeveria do të vendosë në këtë vend sistemin më efikas, më human, më kompetent shëndetësor në rajon. Reforma ka nisur. Reforma e shëndetësisë është për çdo vend reforma më e vështirë, por ne e kemi nisur”, vijoi më tej kreu i qeverisë. Investimet në infrastrukturë ishin premtimi i radhës i Berishës, ku gjatë një takimi me qytetarët, kreu i Ekzekutivit premtoi nisjen e projekteve për lidhjen e Shkodrës me Vlorën me autostrada me katër korsi si dhe ndërtimin e aksit qendror të jugut, i cili do të shkurtojë distancën e Tiranës me Sarandën me rreth 120 km.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›